Në Likovë nuk ka transport publik pavarësisht nevojës së madhe, autoriteteve “nuk ju bëhet vonë”

Transporti publik mbetet ëndërr për mbi 27.000 banorë të Komunës së Likovës, të cilët në mungesë të tij duhet të gjejnë zgjidhje alternative. Qytetarët kërkojnë nga autoritetet të vënë në funksion transportin publik dhe që lidhet me qytetin e Kumanovës. Mirëpo, institucionet heshtin, shkruan Portalb.mk.

Pavarësisht se shumicën e shërbimeve i marrin në Kumanovë, Qytetarët e Komunës së Likovës, për të udhëtuar për në Kumanovë por edhe përbrenda vendbanimeve të komunës udhëtojnë me taksi dhe kombi.

Qytetarët kërkojnë autobusë

Portalb.mk bisedoi me banorët e Komunës së Likovës, të cilët kërkojnë zgjidhje për këtë problem, ata duan transport publik.

Sipas banorëve, transporti privat është shumë i shtrenjtë dhe merr një pjesë të konsiderueshme të kohës së tyre.

Një banor nga fshati Orizare tregoi se duhet të dalë një orë më herët nga shtëpia për të arritur në punë në Kumanovë, për shkak të pritjes së gjatë për taksi.

“Kjo nuk është normale 10 minuta afër qytetit, detyrohem të pres me orë të tëra në taksi derisa të mbushet me udhëtarë të tjerë, por nëse nuk vjen asnjë njeri në atë kohë, më duhet ta paguajë të gjithë taksinë”, tha Asan Sherifi.

Një banore tjetër nga fshati Sllupçan tregoi se e ka shumë të vështirë të udhëtojë deri në qytet, pasi ende nuk kanë transport publik të rregullt.

“Jo çdo kush ka veturën e tij personale për të udhëtuar deri në qytet ose jo çdo kush ka mundësinë e mirë ekonomike për të udhëtuar me taksi personal, pavarësisht edhe nëse janë të punësuar, e më nuk flasim për ato të cilët janë të pa punë, është mirë të rregullohet kjo çështje sepse më nuk jemi në një kohë ku duhet të jetë kaq i vështirë transporti, me të vërtetë është për të ardhur keq, kjo ndodh vetëm në komunën tonë”, u shpreh Majlinda Isufi.

Një banor tjetër i Komunës së Likovës nga fshati Mateç tregoi se transporti është në gjendje të mjerueshme për të plotësuar nevojat e tyre duke rezultuar në mungesë të qasjeve efektive dhe të shpejtë në shërbimet bazë dhe të nevojshme.

“Për shkak të mungesës së mundësive transportuese, jemi bërë të varur nga mjetet private për lëvizje duke shtuar koston dhe ndotjen e mjedisit. Në këtë kontekst mendoj, se nevojitet përkushtim i madh për të rritur shërbimin dhe për të investuar në infrastrukturën e transportit publik, dhe për të siguruar një qasje të barabartë dhe efikase për të gjithë qytetarët e këtij rajoni”, tha qytetari.

Në mungesë të transportit të rregullt, qytetarët humbin shumë kohë, madje ata edhe vonohen për në punë.

“Më duhet afër një orë para kohe të përgatitem dhe të pres një taksi deri sa të mbushet. Një orar i rregullt i transportit publik do të na e lehtëson udhëtimin dhe do të na kursen shume kohë, sidomos në këtë periudhe vere, ku çdo gjë është kaq dinamike”, tha një banor nga fshati Vaksincë. 

Një mësimdhënëse e cila punon në fshatin Sllupçan tregoi se udhëtimet me transport publik kanë përfitimet dhe mangësitë e tyre.

“Unë personalisht udhëtoj me veturën time, ka një anë pozitive që shkojë vetëm në punë mirëpo më së shumti ka mangësi sepse unë çdo herë duhet të nisem më herët që të arrijë në kohë në punë, ka raste kur ka ngarkesë në komunikacion…Nuk kemi pagesë të rrugës nga ministria, dhe ne duhet t’i kryejmë shpenzimet e tona. Është e vështirë në përgjithësi, nëse do të kishte pasur transport publik do te ishte më mirë sepse ka orare të caktuara, dhe arrijmë në kohë nuk humbim aspak kohë, nuk kemi as përgjegjësi gjatë rrugës… Do të kisha dashur që sa më shpejtë të kishim transport publik dhe do ishim më rehat e më mirë”, tha një banore nga qyteti i Kumanovës.

Heshtje nga autoritetet

Pavarësisht se për këtë problem ka pasur diskutime të ndryshme nga ana e autoriteteve, kur vjen puna që të njëjtin të japin llogari, ata “ikin”.

Portalb.mk kontaktoi Komunën e Likovës, atë të Kumanovës dhe Ministrinë e Transportit, edhe pse nga të tre institucionet na konfirmuan se do përgjigjen në pyetjet gazetareske për këtë problem, të njëjtët nuk u përgjigjën.

Premtime po, punë jo

Të rinjtë e Kumanovës kërkuan transport publik dhe zgjidhje edhe në vitin 2020, kryetari i Komunës së Likovës, Erkan Arifi përmes Alsat aso kohe kërkoi përkrahjen e pushtetit qendror për t’i kthyer në funksion linjat ndër-urbane. Po atëherë, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve pati deklaruar se ekziston projekt për të cilin është duke u punuar dhe pas përfundimit të tij do të konsultohet edhe me autoritetet lokale për ta vënë në funksion transportin publik.

Dy vite më vonë, në vitin 2022, kryetari i Komunës së Kumanovës Maksim Dimitrievski për Portalb.mk tha se edhe pse nuk është nën kompetencat e tyre, shprehi interes për bashkëpunim me Komunën e Likovës për futjen e linjave ndërkomunale të transportit me komunat tjera. Kreu i Likovës, Erkan Arifi aso kohe tha se transportin publik e kanë ngritur si çështje dhe se bëheshin analiza.

Ndërsa vitin e kaluar 2023, kryetari i Likovës Erkan Arifi për gazetën Koha ka deklaruar se janë në fazën e përgatitjes dhe analizës sa i përket organizimit të transportit publik, megjithatë se duhej edhe leja nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve. Madje ai kishte thënë se mendojnë të lëshojnë në përdorim linjat Likovë-Kumanovë, Mateç-Likovë-Kumanovë si dhe Ropalcë-Nakushtak-Kumanovë, Llojan-Vaksincë-Kumanovë dhe Sllupçan.

Por pavarësisht premtimeve, qytetarët ende nuk kanë transport publik.