Në kufirin ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovë sistemi i kontrollit të përbashkët të pasaportave jashtë funksionit

Qendra Kombëtare për Menaxhimin Kufitar njoftoi se sot është kthyer kontrolli i dyfishtë i pasaportave për shkak se sistemi i një pike kufitare është jashtë funksionit, transmeton Portalb.mk.

“Sistemi i hyrje/daljeve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, për regjistrim të personave dhe automjeteve, është jashtë funksionit dhe për këtë arsye janë kthyer kontrollet e dyfishta, ku mund të krijohen kolona”, njoftoi QKMK.

Prej orëve të paradites është kthyer kontrolli i dyfishtë te pjesa e hyrjes në Kosovë, ku kanë kontrolluar autoritetet policore nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, ndërkohë gjatë hyrjes në RMV është kryer vetëm një kontroll.

Ndryshe, autoritetet e Republikës së Kosovës dhe ato të Maqedonisë së Veriut më 12 prill të vitit 2025-të kanë përuruar vendkalimin e përbashkët kufitar Hani i Elezit-Bllacë. Në këtë ngjarje morëm pjesë të dy kryeministrat, Albin Kurti dhe Hristian Mickoski. Mickoski tha se kjo pikë kufitare e cila deri vonë është parë si pengesë, tashmë do të jetë lehtësim dhe bashkëpunim më i fuqishëm mes dy vendeve.

Më 28 maj të vitit 2025-të u përurua pika e dytë e përbashkët kufitare mes Kosovës dhe RMV-së.