Në ditën ndërkombëtare të paqes theksohet roli i grave

Në Ditën Ndërkombëtare të Paqes, në kuadrin e punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Shtetet e Bashkuara njoftuan iniciativa të reja për të ndihmuar në konsolidimin e rolit që luajnë gratë për ndërtimin e paqes dhe forcimin e sigurisë në mbarë botën, njoftoi VOA.

Ndërsa udhëheqësit botërorë vazhduan fjalimet në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, një tjetër aktivitet në Nju Jork, ku merrnin pjesë zyrtarë të lartë, u përqendrua tek roli jetik i grave për paqen në mbarë globin dhe se si mund të mbrohen ato nga rreziqet me të cilat përballen.

“Përdhunimi dhe dhuna seksuale në konflikte vazhdon të mos ndëshkohet. Gratë që punojnë për paqen përballen me ndëshkime kur flasin hapur për mizoritë. Shembujt ekzistojnë në Afganistan, ku roli i grave është zhdukur dhe ku shumë thonë se po bëhet një aparteid gjinor. Në Sudan, thirrjet e grave dhe vajzave duket ndonjëherë se janë harruar, megjithë vuajtjet dhe mizoritë që vazhdojnë”, thotë Sima Bahous, drejtuese e organizatës së OKB-së për gratë, “UN Women”.

Ministrja e Jashtme e Rumanisë, Luminita Odobescu, theksoi se sa e rëndësishme është që gratë të mbajnë pozicione drejtuese dhe të kenë pjesëmarrje të barabartë dhe domethënëse në proceset e vendimmarrjes.

“Që ky proces të jetë i pakthyeshëm, arsimimi për barazinë gjinore dhe gjithëpërfshirjen është jetik. Arsimimi i fëmijëve dhe të rinjve është parësor për një të ardhme të qëndrueshme, por edhe për të rriturit dhe profesionistët në sektorë të ndryshëm, përfshirë ato në institucionet e sigurisë”, tha zonja Odobescu.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, njoftoi iniciativa të reja për të nxitur përpjekjet për përfshirjen e grave dhe vajzave.

“Një mënyrë për ta arritur këtë është që të mbështesim Qendrat e Ekselencës për gratë, duke krijuar lidhje mes zyrtarëve të qeverisë dhe udhëheqësve të shoqërisë civile dhe duke i ndihmuar ata për integrimin e perspektivës gjinore në politikat e paqes dhe sigurisë”, tha Sekretari Blinken.

Qeveria amerikane do të publikojë gjithashtu një Plan të Veprimi Kombëtar të përditësuar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, shtoi Sekretari Blinken.

“Do të paraqesë se si i përfshijmë perspektivat dhe nevojat e grave dhe vajzave në diplomacinë tonë, mbrojtjen dhe politikat e zhvillimit të viteve në vazhdim”, tha Sekretari Blinken.

Brenda një muaji do t’i paraqitet Këshillit të Sigurimit të OKB-së raporti vjetor për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Dokumenti do të theksojë nevojën për të zgjeruar pjesëmarrjen e grave në përpjekjet për paqen dhe do të paraqesë propozime konkrete në këtë drejtim.