Në Çair dhe Aerodrom duhet të ndërtohen shkolla të reja, vlerësoi ministrja në lidhje me mësimin me një ndërrim

Ministrja për Arsim dhe Shkencë, Vesna Janevska, sot theksoi që në Maqedoninë e Veriut mësimi cilësor, ekonomik dhe efektiv me një ndërrim është duke u realizuar në 140 shkolla, së shpejti edhe në 50 tjera. MIA raportoi që në komunat si Aerodromi dhe Çairi, sipas ministres, duhet të ndërtohen shkolla të reja, transmeton Portalb.mk.

Kushte për mësim në një ndërrim dhe mësim tërë ditor do të mundësohen për të gjithë nxënësit deri në klasën e pestë deri në fund të mandatit – është plani i ministres së Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska. Nxënësit do të qëndrojnë në shkolla deri në orën 16:30, ndërsa për aktivitetet e tyre shtesë jashtë orëve të rregullta do të angazhohen mësimdhënës shtesë të cilët tani punojnë me vetëm disa nxënës në shkollat rajonale.

Ministrja Janevska në konferencë për media me rastin e 100 ditëve Qeveri tha se bëhet fjalë për 3000 mësimdhënës me të cilët me riorganizimin e punës dhe me optimizim të shkollave nuk do të mbesin pa punë. Ajo vlerësoi se mësimi në një ndërrim dhe gjithëditor është i domosdoshëm në vend.

Theksoi se shteti do të duhet të krijojë kushte për mësim në një ndërrim dhe gjithëditor sepse, tha, kudo në botë punohet kështu dhe duhet të ketë aftësim nëse duam sukses dhe arsim cilësor.

“Nuk ka kapacitete në vend për të nisur menjëherë mësimin në një ndërrim dhe gjithëditor në këtë moment. Por plani është aty ku ka, procesi të fillojë, dhe pothuajse kudo në brendësi të vendit, problem është Shkupi dhe disa shkolla të tjera në disa qytete më të mëdha”, tha Janevska.

Për këtë qëllim, me Bankën Botërore bëhet analizë se në cilat shkolla mund të fillojë mësim një ndërrim me rinovimin prej një deri 15 shkolla, ndërsa në disa komuna, si për shembull Çair dhe Aerodrom, do të nevojitet ndërtimi i shkollave.

“Është i domosdoshëm arsimi në një ndërrim dhe tërë ditor në Maqedoni, fillimisht thashë deri në klasën e katërt, tani them deri në klasën e pestë, sepse dihet që nxënësit tanë janë shumë prapa bashkëmoshatarëve të tyre në Evropë. Tre vite e gjysmë duket se janë pas tyre, 900 orë më pak deri në moshën 15-vjeçare dhe janë në vendet e fundit të testimit PISA. Në të njëjtën kohë, Maqedonia ka 3000 mësimdhënës të tepërt, të cilët punojnë në paralele me nëntë, 12, 17 nxënës”, tha Janevska.