Ndryshimet kushtetuese, “nyje” në bisedimet mes VMRO-së dhe VLEN-it

VMRO DPMNE-ja dhe koalicioni i opozitës shqiptare VLEN kanë njoftuar për takime lidhur harmonizimin e qëndrimeve për Qeverinë e re, por detaje nuk japin asnjëra palë, përveç asaj që tashmë është bërë e ditur se shtyllat e saj bazohen në integrimin evropian, zhvillimin ekonomik, sundimin e ligjit, si dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Përfaqësues të të dyja blloqeve kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se për ndarjen e ministrive do të bisedojnë pasi të bien dakord çështjet programore, apo temat më të ndjeshme, në veçanti ato që kanë të bëjnë me integrimin.

Kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, që pritet të marrë mandatin për formimin e Qeverisë së re, ka paralajmëruar një riorganizim të ministrive, në veçanti të Ekonomisë, Punës dhe Politikës Sociale dhe Arsimit.

Për luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe për sundimin e ligjit, VMRO dhe koalicioni VLEN nuk kanë dallime.

Sa i përket integrimit evropian që pritet të jetë ndër shtyllat kryesore të punës së Qeverisë së re, partitë dallojnë në qëndrime lidhur me ndryshimet kushtetuese, që janë kusht për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit në BE.

VMRO-ja kërkon që ndryshimet kushtetuese të zbatohen pas përfundimit të bisedimeve, ndërsa VLEN vlerësoi që ndryshimet kushtetuese duhet të jenë menjëherë, në periudhën prej 6 deri 9 muaj.

Ndryshe, VMRO-DPMNE dhe koalicioni VLEN më 11 maj kanë realizuar takim, ku është rënë dakord për parimet e përgjithshme të bashkëpunimit për qeverinë e ardhshme, ndër ta edhe ndryshimet kushtetuese.

Zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare në RMV u mbajtën me 8 maj 2024. Sipas rezultateve, VMRO-DPMNE fitoi 58 deputetë, Fronti Evropian 19, LSDM 18, VLEN 13, E Majta 6 dhe Znam 6. Përbërja e re e Kuvendit duhet të konstituohet më së voni 20 ditë pas zgjedhjeve.