Ndërroi jetë nobelisti shqiptar Ferid Murad

Ka ndërruar jetë në moshën 87 vjeçare nobelisti shqiptar me prejardhje nga Maqedonia e Veriut, Ferid Murad. Ai ka jetuar dhe vepruar në SHBA, ndërsa ka ligjeruar në universitetet më eminente të Amerikës dhe jo vetëm.  Në vitin 1998, ai fitoi së bashku me dy kolegët e tij, Çmimin Nobel në Fiziologji / Mjekësi për zbulimet në lidhje me rolin e oksidit nitrik në sistemin kardiovaskular, transmeton Portalb.mk.

Ferid Muradi lindi më 14 shtator të vitit 1936 në Whiting, Indiana, ShBA. Studimet e tij janë përqendruar në efektin e nitroglicerinës në trupin e njeriut. Ai ka punuar mbi këtë temë për vite të tëra bashkë me Robert Furchgott dhe Louis Ignarro.

Të tre bashkë fituan Çmimin Nobel në 1998. Gjatë atij viti ka patur kritika prej tyre ndaj një fizikanti tjetër pretendent për çmimin, i quajtur Salvador Moncada, i cili në mënyrë të habitshme, i pavarur nga treshja e studiuesve fitues, kishte arritur paralelisht në përfundimet e Ignarros.

Muradit i është dhënë titulli “Doktor Nderi” nga shumë universitete dhe institucione prestigjioze arsimore-shkencore ndërkombëtare. Gjithashtu, ka titullin “Doktor Honoris Causa” nga Universiteti i Europës Juglindore në Tetovë.

Babai i Muratit është nga Maqedonia. Gjatë një ceremonie për dhënien e një çmimi , ai vetë tha se babai i tij është nga një fshat i Gostivarit dhe se ka emigruar në Amerikë në fillim të viteve 1900.

Babai i nobelisit, Xhabir Murad Ejupi emigroi nga Gostivari, në moshë të re, kur ishte 18 vjeç, nga nevoja për të ndihmuar familjen e madhe, e cila u ndodh ngushtë pas vdekjes së nënës, që e la atë jetim në moshën 12 vjeç. Të ardhurat nga shitja e ëmbëlsirave nuk mjaftonin për të siguruar jetesën. Vështirësitë ekonomike dhe mungesa e punës e detyruan djaloshin nga Gostivari të merrte rrugët e Evropës së turbulluar nga valët e Luftës së Parë Botërore, e cila sapo kishte filluar. Xhabirit iu dha mundësia që në vitin 1914 të marrë një anije dhe, nëpërmjet Ellis Island-it të fillojë jetën e re në Amerikë. Pas peripecive të para në New York, ai kursen para për udhëtimin në Ohio, ku punon në një uzinë të shkrirjes së çelikut. Shkëputet për një kohë në Detroit dhe më pas në Chicago, ku u vendos përfundimisht së bashku me gruan e tij, Henrietta Josephine Bowman. Jetonin me të ardhurat e fituara nga një restorant i tij në veri të Indiana-s dhe më pas në Chicago. E gjithë familja, përfshirë nobelistin e ardhshëm dhe vëllezërit e tij, Abdurrahmanin dhe Turhanin, duhej të punonin për të siguruar jetesën dhe, mundësisht, të mbështesnin edhe të afërmit e lënë në vendlindje.

Kontaktet e Muratit me botën shqiptare gjithsesi kanë qenë të pakta, por prezenca e tij nuk ka munguar. Para disa vitesh, ai ishte në një ligjëratë me studentët e Prishtinës si dhe botoi një editorial në gazetat “Iliria” në SHBA dhe “Shekulli” në Tiranë lidhur me pavarësinë e Kosovës.

Në fakt, të dy shqiptarët e vetëm që kanë marrë Çmimin Nobel janë shqiptarë të Maqedonisë. E para është Nënë Nënë Tereza (Gonxhe Bojaxhi) që e ka marrë për Nobelin për Paqen. Ndërsa shqiptari i parë kandidat për Çmimin Nobel ka qenë At Gjergj Fishta, i cili më 1940 u rendit ndër kandidatët për çmimin prestigjioz. Edhe shkrimtari shqiptar Ismail Kadare ka qenë disa herë kandidat.