Ndalohet në Kosovë një i dyshuar për spiunazh

Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se ka arrestuar sot një person me inicialet H.S., shtetas i Kosovës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Spiunazhi”.  Atij i është caktuar ndalimi prej 48 orësh. Sipas Prokurorisë, aksioni për arrestimin e tij është zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, si dhe asistencën e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Po ashtu, thuhet se është kryer edhe bastisje në dy lokacione në Kosovë, ku janë sekuestruar prova materiale, përfshirë edhe disa telefona, që dyshohet se janë përdorur nga i dyshuari gjatë kryerjes së veprës penale.

Prokurori i shtetit ndaj të dyshuarit ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh, dhe ndaj të njëjtit do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zhvillimin e suksesshëm të procedurës penale.

Spiunazhi është veprimtari e fshehtë e mbledhjes, transferimit ose shpërndarjes së informacioneve të ndjeshme te një shtet, organizatë apo grup tjetër.

Me Kodin Penal të Kosovës, spiunazhi konsiderohet krim i rëndë dhe dënohet me minimum pesë vjet burg, nëse konfirmohet fajësia.