Albina Ramadani mori çmimin “Primarius Dr. Dimitar Ivanovski”: Tre gjëra do ndryshoja në mjekësinë e RMV-së

Ablina Ramadani është një nga tre studentet të cilës iu nda çmimi “Primarius Dr. Dimitar Ivanovski” për vitin 2024. Ky çmim jepet për çdo vit nga Oda e Mjekëve të Maqedonisë së Veriut për tre studentët me mesataren më të lartë në tre fakultetet shtetërore të mjekësisë në kuadër të Universitetit “Sh. Kirili dhe Metodi” në Shkup (UKM), Universitetit Shtetëror në Tetovë (USHT) dhe “Goce Dellçev” në Shtip (UGD). Me Albinën biseduam për kërkesat rigoroze të arsimit mjekësor në vend, sfidat me të cilat u përballën në rrugën drejt diplomës dhe licencës dhe perspektivat e tyre për cilësinë e arsimimit dhe të ardhmen e mjekëve, transmeton Portalb.mk.

Intervistoi: Goshe Nikollov

Çfarë të frymëzoi të fillosh të studiosh dhe të merresh me mjekësi?

Që më herët në kohën e adoleshencës kur fillova të kuptoja rreth studimeve, profesionit dhe ëndrrës që kisha me çfarë të merrem në të ardhmen e mendoja veten si mjeke për arsye se është profesioni më human dhe dëshira ime më e madhe është të ju ndihmojë njerëzve që ato të ndihen mirë dhe të sigurt, dhe ku më mirë se me mjekësinë mund te arrija këtë qëllim.

Cilat janë disa nga sfidat më të mëdha me të cilat je përballur gjatë studimeve dhe si i ke tejkaluar ato?

Sfida më e madhe që kam pasur në periudhën e studimeve ka qenë gjetja e mënyrës së studimit. Kush studion mjekësinë e di që lëndët të gjitha kanë lidhshmëri me njëra tjetrën dhe janë shumë të logjikshme për ti kuptuar , por nga mbingarkesa e shumë lëndëve dhe nga koha e limituar për arsye te ligjëratave, ushtrimeve e gjeja veten te përhumbur në tërë atë literaturë. Mirëpo hap pas hapi dhe me shumë vështirësi arrita që ta përfundoj me sukses.

Si do e kishe vlerësuar cilësinë e arsimit që e ke marrë? Sa mendon se të ka përgatitur fakulteti për punë praktike në mjekësi? A ke pasur mundësi të bësh punë praktike dhe sa të ka ndihmuar ajo?

Cilësinë e studimeve dhe të arsimimit nga 1-10 do ta vlerësoja me notën 7. Arsyeja është mungesë e theksuar e bashkëpunimit profesorë-student, grupi administrativ-student, mjekë-student, asistentë-student. Gjithashtu gjithmonë sipas mendimit tim duhet ti jepet edhe më shumë rëndësi punës praktike spitalore sepse nesër ajo është realiteti i parë me të cilën do të përballemi sapo të vendosim në praktikë punën mjekësore.

Fakulteti i mjekësisë konsiderohet si një nga më të vështirët. Si ia del/dilje mbanë të arrish një baraspeshë mes studimeve dhe jetës personale dhe detyrimeve të tjera?

Për çdo student të shkencave mjekësore problemi kryesorë në periudhën e studimeve ka qenë mospasja e mjaftueshme e kohës për të kryer detyrime tjera të përditshme, mungesa nëpër evenimente kryesore, mospasja kohë për pushime verore ose dimërorë (për arsye të periudhës së provimeve), rëndesë psikologjike në lidhje me vitet e gjata të studimeve dhe të menduarit që kjo periudhë nuk do mbarojë kurrë. Balancimi i kohës është në varësi të drejtpërdrejtë me prioritetet. Në periudhën e studimeve natyrisht i jepet hapësirë kohore më së shumti profesionalizimit dhe studimit. Pra mbetet shumë pak kohë për të kaluar me ngjarje tjera që ndodhin në përditshmëri, për fat të keq ndonjëherë cenohet edhe shëndeti psikik dhe fizik për të mundur të arrihet sukses.

Albina Ramadani. Ilustrim: Meta.mk
Albina Ramadani. Ilustrim: Meta.mk

Një pyetje të pashmangshme për çdo student të mjekësisë në Maqedoni: Çfarë planifikon të bësh pas diplomimit dhe ku e sheh veten në vitet e ardhshme?

Planet e mia më të afërta tash pas diplomimit janë që të plotësohem 100% si një mjeke e përgjithshme dhe të jem e gatshme për të ju dalë në ndihmë në çdo kohë njerëzve që do të kenë nevojë dhe kjo arrihet me lexim te vazhdueshëm dhe me përkushtim shumë të theksuar në pjesën praktike. Pasi te arrijë këtë që përmenda më lartë atëherë do e mendoj të specializohem në një drejtim te caktuar varësisht se ku do e gjejë veten më të afërt gjatë punës praktike.

Çfarë mundësish mendon se kanë punonjësit shëndetësorë në Maqedoni krahasuar me ata në vendet evropiane? Si e balancon dëshirën për atë që ofrojnë mundësitë globale me përkushtimin për të kontribuuar në vendin tonë?

Përgjigja ime në lidhje më këtë pyetje është shumë e shkurtër. Nëse e bën punën tënde me dëshirë, vullnet dhe përkushtim atëherë suksesi dhe arritja të presin me duart hapur ku do që të jesh.

Si e sheh të ardhmen e profesionit të mjekut në vendin tonë? Çfarë ndryshimesh ose përmirësimesh do kishe dashur të shohësh në sistemet e edukimit mjekësor dhe mbrojtjes shëndetësore?

Në sistemin e mënyrës ne studimeve, punësimit dhe punës në vazhdimësi si një mjek në të ardhmen 3 janë pikat që do doja te ndryshoja: Pranimin e një numri te caktuar studentësh në fakultetin e Shkencave Mjekësore sipas disa kritereve te caktuara; rritja e pagës dhe përmirësimi i kushteve spitalore dhe përmirësimi i higjienës nëpër spitale.

Çfarë këshille do ju kishe dhënë studentëve të tanishëm të mjekësisë të cilët duan të shkëlqejnë dhe të kenë sukses në studime?

Këshilla ime për studentët aktual të mjekësisë është që të mos përqendrohen duke menduar për vitet e gjata të studimeve mirëpo ti shfrytëzojnë ato për të marrë sa më shumë dituri sepse asnjëherë në një te ardhme nuk do ta kenë këtë mundësi po ashtu të mos nënshtrohen nga ideologjitë e askujt po të logjikojnë dhe të ngritin zërin për çdo shqetësim sepse çdokush është i zëvendësueshëm.

Interesante është që të tre studentët/studentet më të mirë/a të diplomuar/а në fakultetet e mjekësisë janë vajza. Në çfarë mënyre mendon që fusha e mjekësisë dhe arsimi munden t’i mbështesin më së miri studentet dhe mjeket?

Gratë kohëve të fundit kanë treguat se janë shumë të zonja në profesionin të cilën e ndërmarrin, veçanërisht në profesionin e mjekes e cila është e lidhur drejtpërdrejt me ndjeshmërinë dhe gratë janë shumë të ndjeshme si natyrë. Gruaja ka dëshirë të pashtershme për të qenë e pavarur dhe e lirë në vendimet që i merr, kështu që pasja e një profesioni dhe zotërimi i tij paraqet një përparësi shumë të madhe në jetën e saj. Diçka që do i ndihmonte vajzave gjatë studimeve është ndihma financiare sepse në Maqedoni ende nuk është shumë e lehtë ose është gati e pamundur që të gjesh ndonjë punë me kohëzgjatje të shkurtër me të cilën mund ti mbulosh shpenzimet, për dallim nga meshkujt të cilët e kanë më të lehtë këtë pjesë. Dhe e fundit por jo më pak e rëndësishmja është që një mjeke grua pushimin pas lindjes ta ketë minimum deri në 18 muaj, për shkak se balancimi i jetës profesionale me atë familjare veçanërisht në profesionin tonë është një nga gjërat më të vështira që përballet një grua.