MPJ-ja konfirmoi se një shtetas i Maqedonisë humbi jetën në një aksident në Serbi

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme konfirmoi se dje pasdite një shtetas i Maqedonisë ka humbur jetën në një aksident në Serbi. Tre personat e lënduar nga ana tjetër janë shtetas të Sllovenisë, transmeton Portalb.mk.

“Dje në orët e pasdites ka ndodhur një aksident trafiku në afërsi të qytetit të Palojcës ku një person ka humbur jetën, ndërsa tre persona janë lënduar. Sipas informacioneve nga Ambasada e RMV-së në Beograd, personi që ka humbur jetën është shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndërsa të lënduarit janë shtetas të Republikës së Sllovenisë”, njoftoi MPJ e Maqedonisë pasdite.

Nga atje shtojnë se ambasada e Maqedonisë në Beograd është në komunikim të vazhdueshëm me shërbimet kompetente në Serbi dhe se opinioni do të njoftohet menjëherë për çdo informacion shtesë.

Mediat serbe më herët kanë raportuar se në një aksident të rëndë trafiku ku është përfshirë një familje nga Maqedonia e Veriut, ka humbur jetën një person, ndërsa katër të tjerë, mes të cilëve dy fëmijë, kanë mbetur të lënduar.