Mosintonimi i himinit shqiptar në Pustec, Rama: Cirk i nacional-folklorizmit ballkanik në Shqipëri

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas zhvillimeve në Pustec, ku gjatë ceremonisë në kuadër të vizitës së kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, u ekzekutua vetëm himni maqedonas dhe jo ai shqiptar. Rama e ka cilësuar situatën si një “parodi domethënëse” për dallimet në qasjen ndaj marrëdhënieve dhe simboleve kombëtare në këtë pjesë të Evropës, transmeton Portalb.mk.

Sipas Ramës, kryetari i Bashkisë së Pustecit, Pali Kolefski, kishte kërkuar paraprakisht që në ceremoni të ekzekutohej edhe himni shqiptar, por kërkesa e tij ishte injoruar. Rama thekson se Kolefski më pas kërkoi ndjesë për një situatë për të cilën, sipas tij, nuk mbante përgjegjësi.

“U tregua një shtetar dhe qytetar i denjë i Shqipërisë Europiane, në nder të vetes dhe të komunitetit të tij maqedonoverior, të cilit i duam vetëm më të mirën”, shkroi Rama.

Kryeministri shqiptar nënvizoi gjithashtu se Shqipëria e ka trajtuar komunitetin maqedonas në Pustec me një status të veçantë, duke e cilësuar këtë si dëshmi të qasjes së vendit ndaj minoriteteve.

“Për Shqipërinë minoritetet nuk janë statistikë, por pasuri kombëtare, dhe qytetarët minoritarë nuk janë numra, por vëllezër e motra me të njëjtat liri dhe të drejta si të gjithë ne”, theksoi Rama.

Në reagimin e tij, Rama nuk i kurseu kritikat ndaj asaj që e quajti “trupat e cirkut të nacional-folklorizmit ballkanik”, duke thënë se vizitat e tilla në territorin shqiptar nuk e shqetësojnë Shqipërinë për sovranitetin e saj apo për ekuilibrat e jetës politike të brendshme.

“Gjithsesi, u shpreh sot një keqardhje e sinqertë për të gjithë sponsorët e këtij cirku të lashtë flamujsh në epokën e Inteligjencës Artificiale”, deklaroi Rama.

Në fund, ai u bëri thirrje edhe atyre që, sipas tij, kërkojnë përballje dhe përgjigje me të njëjtën monedhë në raste të tilla, duke theksuar se Shqipëria dhe Europa e Ballkanit nuk duhet të ulin standardin e vlerave të tyre.

“Jo, Shqipëria, Europa e Ballkanit, kurrsesi nuk mund t’ia lejojë dhe nuk do t’ia lejojë vetes ta zbresë monedhën e vlerave të saj në nivelet e parodisë së Pustecit”, përfundoi Rama.

Një ditë më parë, gjatë vizitës së kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në Pustec, gjatë ceremonisë zyrtare u ekzekutua vetëm himni maqedonas, ndërsa himni shqiptar nuk u luajt.