Mosgatishmëria për të bërë reforma rrënjësore

Në katër vitet e fundit ka qenë rrezik i madh për shtetet e Ballkanit të mos bëhen pjesë e BE-së, por tani me planet e unionit për ndihmë financiare gjasat janë të larta nëse qeveritë rajonale përkushtohen mirë në reforma. Këtë anëtarësim mund ta arrijnë deri në vitin 2030, pavarësisht forcimit të rrymave të djathta në BE. Por, duhet pranuar se shumë pyetje mbeten të hapura, dhe të paqarta përshkak të çështjeve të brendshme të BE-së, dhe mungesës së vullnetit të vetë shteteve të Ballkanit për të ecur shpejt me reformat e duhura.

Pavarësisht sfidave që vetë BE po kalon, ajo e ka hapur derën krahasuar me një dekadë më parë kur Brukseli pas pranimit të Sllovenisë dhe Kroacisë pothuajse i mbylli dyert për të tjerët. Faji nuk ka qenë vetëm në BE, ka qenë vetë “sëmundja” kronike e shteteve të Ballkanit në fushën e të drejtave të njeriut dhe drejtësisë që të marrin pikë të këqija nga Komisioni Evropian i BE-së. E keqja është se qeveritë ballkanike shumë pak e kanë ndryshuar qëndrimin e tyre për përmirësimin e situatës. Ka disa hapa në miratimin e ligjeve pro- evropiane, por në praktikë mungojnë veprime konkrete në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Raporti i fundit i Komisionit Evropian për vendet ballkanike 2024, nuk dallonte shumë nga raportet e kaluara, ku në të njëjtat fusha raporti ka shënuar pak përparim.

Sa i përket sundimit të ligjit, ka pasur raporte të shumta jo vetëm nga BE-ja, por edhe nga SHBA që kanë vërtetuar të njëjtat ngecje. Ndërsa autoritetet rajonale kanë qenë të pavëmendshme dhe injorante në thirrjen për përmirësimin e fushës së drejtësisë së pavarur. Lëvizjet qeveritare kanë qenë gjithashtu të papërgjegjshme ndaj përmirësimit në tërësi të sistemit të drejtësisë. Aktualisht, kemi një sistem të keq që shumë vështirë se mund të përmirësohet dhe të funksionojë si në BE, sepse në sistem është instaluar një mentalitet i ryshfetit, një mosrespektim i institucioneve etj etj. Dhe siç e dimë, askush nuk ka marrë asnjë përgjegjësi nga asnjëra anë (parti politike) për punët e pakryera. Në
përgjithësi, nuk ka vullnet për të ecur përpara me reforma të ashpra.

Mungesa e vullnetit për të vazhduar reformat, dhe përmbushur detyrimet është parë edhe në vitet e mëparshme me të njëjtat çështje ku qeveritë, dhe institucionet vendore nuk i kanë respektuar kërkesat e BE-së. Në situatën ballkanike ku nuk janë janë zgjidhur të gjitha çështjet politike dhe etnike, gjithmonë qeveritë kanë gjetur një mënyrë për të shmangur nevojën për reforma serioze dhe përparim. Këtu si rast mund të merret përsëri mungesa e përparimit dhe demokratizimit e cila është e lidhur fortë me politikën ditore. Zhvillimet e fundit në Ballkan sugjerojnë se manipulimi me çështjet e brendshme etnike dhe ndërshetërore mbeten përsëri në radhë të parë për qeveritë.

Lojërat e mëdha etnike qëndrojnë në krye të politikanëve, së bashku me disa organizata radikale që janë bërë pjesë e procesit të përhapjes së frymës anti- BE. Së fundi një valë e tillë e nacionalizmit është ngritur veçanërisht në Serbi dhe Maqedoninë e Veriut. Nuk ka javë në rajon që nuk kalon pa incidente apo provokime. Aksionet radikale kanë ndikuar që muajve të fundit dëshira për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore në Ballkan të ulet, ndërsa është rritur oreksi për tensione e fjalime të mëdha me përmbajtje shoveniste. Në fund, edhe BE nuk u krijua në një mënyrë kaq të lehtë. Pas Luftës së Dytë Botërore, të gjitha vendet evropiane ranë dakord të ndërtojnë së bashku një mjedis pa konflikte dhe urrejtje.

BE-së iu deshën dekada për të shëruar plagët. Diçka duhet të ndodhë edhe në Ballkan, por fatkeqësisht është shumë e vështirë të krijohet një atmosferë e bashkëpunimit me politikat aktuale ku aktorë të huaj janë integruar në lojërat e brendshme. Mbetet të shpresohet që qeveritarët të vetëdijësohen, dhe t’i përfundojnë reformat bashkë me uljen e frymës radikale për tensione të reja në Ballkan. Nëse qeveritë nuk do të bëjnë më shumë në fushën e drejtësisë, e zyrtarët rajonalë do të kthejnë kokën drejt shoqërive të tjera autokratike, e ardhmja do të jetë në pritje dhe regresioni do të mbizotërojë. Qeveritë rajonale nuk kanë shumë kohë, pasi viti 2030 është afër.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.