Mitsotakis Davkovës: Nuk do të pranojmë lapsuse të tilla, çdo hap i Shkupit drejt Evropës varet nga respektimi i marrëveshjes

E paligjshme dhe e palejueshme. Kështu e vlerëson kryeministri grek deklaratën e djeshme të presidentes së sapozgjedhur Gordana Siljanovska-Davkova, e cila në ceremoninë e inaugurimit në Kuvend në vend të emrit kushtetues Republika e Maqedonisë së Veriut përdori vetëm emrin Maqedonia, transmeton Portalb.mk.

Në profilin e tij në Facebook, Mitsotakis ka shkruar se zgjedhja provokuese e presidentes së re të Maqedonisë së Veriut për të shkelur tekstin zyrtar të betimit dhe, siç tha ai, për ta quajtur vendin e saj me një emër tjetër, është një nismë e paligjshme dhe e palejueshme.

“Një akt që shkel Marrëveshjen e Prespës dhe vetë Kushtetutën e vendit të saj. Por ajo minon të ardhmen e vendit të saj, siç kanë deklaruar tashmë Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel”, shkruan kryeministri grek Mitsotakis.

Në tekstin e publikuar në Facebook, kryeministri grek ka kujtuar edhe qëndrimet e Demokracisë së Re kur ishte në opozitë, pra se në vitin 2019 votoi kundër marrëveshjes së Prespës, siç tha ai, duke paralajmëruar pastaj për problemet që, shton ai, do të krijojnë dështimet e saj.

“Ne si qeveri respektuam nënshkrimin grek të marrëveshjes ndërkombëtare, e cila është e detyrueshme për vendin. Por fatkeqësisht zhvillimi i fundit i ngjarjeve konfirmon kujdesin tonë të vendosur”., thotë kryeministri grek

Sipas tij, Greqia i refuzon manipulimet me të cilat Siljanovska-Davkova, siç shton, e fillon mandatin e saj. Në këtë drejtim, Mitsotakis i ka bërë thirrje presidentes së re Siljanovska-Davkova që t’i kthehet detyrave të saj ligjore dhe, siç tha ai, në sjelljet që dalin nga roli i saj.

Megjithatë, ai ka thënë se çdo hap, siç ka shkruar ai, i Shkupit drejt Evropës, ndër të tjera, varet edhe nga përdorimi i emrit kushtetues.

“Ne deklarojmë kategorikisht se nuk do të pranojmë lapsuse të tilla. Dhe përsërisim se çdo përparim në marrëdhëniet dypalëshe, si dhe çdo hap i Shkupit drejt Evropës, varet nga respektimi i sinqertë i marrëveshjes, nga përdorimi korrekt i emrit kushtetues të vendit fqinj dhe natyrisht nga shmangia e provokimeve”, ka shkruar Mitsotakis në Facebook.

Kujtojmë se derisa kryetari i Kuvendit, Jovan Mitreski, lexonte deklaratën solemne me emrin kushtetues të Republikës së Maqedonisë së Veriut presidentja Gordana Siljanovska Davkova, gjatë dhënies së betimit, nuk e përdori emrin zyrtar “Maqedoni e Veriut” ashtu siç është rënë dakord me Marrëveshjen e Prespës, por e përdori vetëm emrin “Maqedoni”.

“Deklaroj se postin e presidentit të Maqedonisë do ta kryej me ndërgjegje dhe përgjegjësi. Do të respektoj Kushtetutën dhe ligjet dhe do ta mbroj sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e Maqedonisë”, tha në betimin solemn Siljanovska-Davkova.

Ajo madje që në fushatën parazgjedhore kishte sqaruar që do të mundohet të shmang emrin e ri zyrtar të shtetit, për çka kishte reaguar edhe pala greke. Ky hap i Siljanovskës dhe i partisë nga e cila ajo u mbështet, VMRO-DPMNE, ka hasur në reagim të ashpër të Greqisë dhe opinionit ndërkombëtar, duke ia kujtuar se vendi duhet ta respektojë Marrëveshjen e Prespës, nëse dëshiron të ecë përpara në rrugën eurointegruese.

Maqedonia e Veriut ka qenë kandidate anëtarësimi në BE që nga viti 2005. Por fillimi i bisedimeve të anëtarësimit u shty për shkak të konfliktit të emrit me Greqinë. Në vitin 2027 socialdemokratët qeverisës arritën një marrëveshje me Greqinë për ndryshimin e emrit, që në vitin 2019 edhe u zbatua. Athina këmbënguli për ndryshimin e emrit Maqedoni, pasi një rajon në veri të Greqisë mban po këtë emër. Ndryshimi i emrit në Maqedoni e Veriut solli edhe anëtarësimin e vendit në NATO dhe me këtë edhe hapjen e rrugës për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit.

Kjo situatë, mund t’i hapë vendit probleme të mëtejshme me Bullgarinë, me të cilën edhe ashtu ka marrëdhënie herë pas here të tensionuara.