Mirie Rushani një poliglote dhe diplomate e rrallë e politikave të mëdha

Mirie Rushani ishte ambasadore e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Itali (2001-2005) dhe gruaja e parë në këtë rol në historinë politike e diplomatike shqiptare në përgjithësi. Roli i saj ishte shumëdimensional. Edhe pse kohëve të fundit nuk është shumë aktive në jetën publike, gjurmët e saja janë të pashlyeshme e të gjithë e përmendin si një shembull frymëzues. Për Portalb.mk sjellim disa nga momentet e rëndësishme të jetës së saj.

Diplomatja dhe profesoresha Mirije Rushani , fotografi personale
Diplomatja dhe profesoresha Mirije Rushani , fotografi personale

Studioi në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin Filozofik, dega e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe dhe diplomoi në vitin 1979. Këtu edhe magjiistroi në vitin 1983. Ndërsa studimet për doktoranturë i bëri në Itali (1986-89) si bursiste e shtetit Italian.

Përgjatë karrierës, ka ndjekur një varg programesh kualifikuese të nivelit të lartë si në fushën e kulturologjisë, të marrëdhënieve ndërkombëtare e të diplomacisë, ashtu edhe në fushën e politikave evropiane dhe të drejtave të njeriut.

Ish-ministre e shkencës dhe teknologjisë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut (1998-2001). Gjatë kësaj kohe ishte edhe koordinatore nacionale për reformat në arsimin e lartë, gjithashtu edhe koordinatore nacionale e Programit Tempus-Fare dhe INCO Kopernikus të UE-së për reformat në arsimin e lartë, përmirësimin e kualitetit të mësimdhënies dhe bashkëpunim trans-evropian. Njëkohësisht edhe Koordinatore e Programit shkencor të NATO-s për Maqedoninë e Veriut.

Diplomatja dhe profesoresha Mirije Rushani , fotografi personale
Diplomatja dhe profesoresha Mirije Rushani , fotografi personale

Gjatë mandatit si ministre, e solli ligjin e ri për arsimin e lartë me të cilin u avancua arsimimi i lartë në gjuhën shqipe. Me këtë ligj do të zgjidhej edhe problemi i zyrtarizmit të Universitetit të Tetovës.

Ishte ideatore dhe themeluese e Universitetit të Evropës Juglindore bashkë me komisarin Max Van der Stoel.

Si ministre, gjatë luftës së Kosovës luajti rol shumë të rëndësishëm politik e diplomatik si edhe në menaxhimin e refugjatëve të luftës nga Kosova në Maqedoni. Bashkëpunëtore dhe këshilltare shumëvjeçare e politikanit dhe filozofit shqiptar Arben Xhaferi. Ishte pjesë e grupit punues , këshilltare dhe ideatore kryesore e Marrëveshjes së Ohrit në vitin 2001.

 Nga viti 1989 deri më 1998 ka zhvilluar aktivitet të gjerë dhe të pa ndërprerë në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës në të gjitha nivelet institucionale politike, shtetërore e administrative, në gjithë Evropën e më gjerë, përmes konferencave të ndryshme shkencore, politike, debateve mediave, etj ,duke tërhequr vëmendjen e një numri të madh të partive politike, të politikanëve të njohur, të deputetëve, senatorëve, ministrave e kryeministrave nga gjithë Evropa të cilët do tu bashkohen aktiviteteve të saj pa rezerva.

Diplomatja dhe profesoresha Mirije Rushani gjatë takimit me Kadarenë, fotografi personale
Diplomatja dhe profesoresha Mirije Rushani gjatë takimit me Kadarenë, fotografi personale

Me përkrahjen dhe ndihmën e kolegëve dhe studentëve nga Universiteti i Firenzës themeloi fushatën « Campagna Kossovo » në Firenze të Italisë (1992) (Nga viti 1993-2003 Campagna Kossovo per la nonviolenza e la riconciliazione, të cilën do ta udhëheqe bashkë me Prof. A. L’Abate). Paralelisht me këtë e ka themeluar dhe udhëhequr edhe Fushatën e suksesshme të të drejtës për studim të mbështetur në konventat përkatëse ndërkombëtare. Kjo fushatë kërkonte rihapjen e shkollave të të gjitha niveleve në Kosovë, rihapjen e universitetit të mbyllur të Prishtinës dhe të Universitetit të Tetovës. Kësaj fushate iu bashkua edhe Konferenca e Rektorëve të Evropës si dhe komisari i lartë për pakica dhe refugjatë pranë OSBE-së Max Van Der Stoel me ndihmën dhe përkrahjen e jashtëzakonshme të tij ajo do ta fillojë projektin për themelimin e Universitetit të Evropës Juglindore, fillimisht i paraparë sipas modelit të Institutit Universitar Evropian në Firenze.

Është bashkëthemeluese e Shoqatës Nëna Tereza në Prishtinë (1990) dhe sekretare gjenerale e saj.

Nga veprimtaria e Universitetit të Tetovës në vitet e para të punës. Prof. dr. Remzi Nesimi, prof. dr. Rahmi Tuda (dekan) dhe prof. dr. Mirije Rushani me studentët e Fakultetit Filologjik, para objektit në Çarshi të Epërme.
Nga veprimtaria e Universitetit të Tetovës në vitet e para të punës. Prof. dr. Remzi Nesimi, prof. dr. Rahmi Tuda (dekan) dhe prof. dr. Mirije Rushani me studentët e Fakultetit Filologjik, para objektit në Çarshi të Epërme.

Ka qenë bashkëpunëtore e Rugovës para së ai të merrej me politikë. Prej vitit 1990 ajo vazhdon të jetë bashkëpunëtore dhe këshilltare e tij për çështje të caktuara deri në vitin 1997. Në vitin 1994 Kryetari Rugova e emëron Ambasadore (joformale) të Kosovës në Itali. Në saje të punës së saj shteti i Italisë i dha përkrahje të gjërë Kosovës, ndërsa në vitin 1996 ajo ariti që Parlamenti dhe Senati Italian ta miratojnë kërkesën e saj për hapjen e Ambasadës së Kosovës si dhe të një qendre për informim në Romë. Praktikisht mund të thuhet se kjo është njohja e parë ndërkombëtare që e ka marrë Kosova.

Më 1991 me angazhimin e saj personal dhe me ndihmën e institucioneve italiane e ndërkombëtare, arriti ta organizojë dërgimin e ndihmës së parë humanitare në Dubrovnikun dhe Cavtatin e rrethuar dhe të bombarduar nga Ushtria Federale Jugosllave, si dhe evakuimin e disa mijëra refugjatëve të luftës nga ky qytet për në Itali.

Në këtë periudhë ka edhe angazhime tjera aktive për të drejtat e njeriut dhe të drejtën për fjalën e lirë. Angazhime ne mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të drejtave të gruas, barazia gjinore, mundësitë e barabarta, mbrojtja e saj ligjore, materiale dhe shëndetësore etj.

Diplomatja dhe profesoresha Mirije Rushani , fotografi personale
Diplomatja dhe profesoresha Mirije Rushani , fotografi personale

Në vitet 1994/98 punoi si profesoreshë e rregullt në Universitetin e Tetovës, në Fakultetin Filologjik. Njëkohësisht edhe profesoreshë me kontratë në Universitetin e Firenzes (Itali).

Anëtare dhe bashkëpunëtore e Institutit Italian për studime të Evropës Jug-Lindore. Ka mbajtur ligjërata e konferenca të herë pas hershme edhe në universitete tjera, si, Universiteti Amerikan Jon Cabot në Romë, Universiteti i Napolit, etj.

Në vitin 1982 punon në Zyrat qendrore të Industrisë së Bashkuar të Kosovës prej ku pati qasje në të gjitha çështjet politike, ekonomike dhe zhvillimore të Kosovës. Prej vitit 1983 deri në pushtimin e Kosovës punon në Odën Ekonomike të Kosovës. Më 1985 me autorizimin e OEK të Kosovës dhe të Institutit Ekonomik të Kosovës, bashkë me prof. Isak Mustafa e themelojnë dhe e udhëheqin Qendrën për Inovacione të Kosovës.

Në vitin 1980/81 punoi në Gjimnazin e Tetovës kur filloi edhe fushata e diferencimit politik të intelektualëve shqiptarë në krejt Jugosllavinë, u përjashtua dhe u dënua për “indoktrinim” të rinisë. Me këtë i merret e drejta të punojë në universitet, në institucione arsimore e shkencore dhe media.

Mirije Rushani, Fotografi personale
Mirije Rushani, Fotografi personale

Gjatë viteve të studimeve e themeloi dhe udhëhoqi klubin për fotografi dhe film “Prishtina” (Foto-Kino Klubi “Prishtina” 1975-79). Ndërsa vet u mor me filmin dokumentar dhe eksperimental. Filmat e saj u shpërblyen në të gjitha festivalet e asaj kohe në Jugosllavi, ndërsa njëri nga këta “Dëshirë dhe ëndrra” u zgjodh në Lublanë (1976) filmi më i mirë i vitit. Është themeluese dhe organizatore e festivalit të parë të filmit amator në Kosovë dhe e Festivalit të 30-të të këtij lloj filmi në Jugosllavi mbajtur në Prishtinë (1977). Ishte femra e parë dhe e vetme në ish-Jugosllavi që merrte pjesë në këto festivale si autore dhe realizuese e filmit.

Nga kjo kohë fiton disa mirënjohje: Mirënjohje nga Teknika Popullore e Jugosllavisë për kontribut në zhvillimin e teknikës, Mirënjohje nga Kino Lidhja e Jugosllavisë dhe Pllaketa e argjentë e Qytetit të Prishtinës për kontribut në zhvillimin e kulturës teknike në Kosovë (1977),etj.

Zotëron disa gjuhë te huaja, në nivele të larta si, anglisht, italisht, frengjitht, serbokroatisht, maqedonisht, etj.

Me propozimin e shumë institucioneve dhe shoqërisë civile bashkë me ambasadorin Florian Winter e ndajnë shpërblimin Qytetar i botës në Vjenë më 2014.

Edhe pse e lindur në Maqedoninë e Veriut, Gjithë jetën e kaloi në relacionin Prishtinë-Shkup-Tetovë.