Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut dënoi sulmin rus me dron në Rumani

Maqedonia e Veriut ka dënuar sulmin me dron të kryer nga Rusia ndaj një ndërtese banimi në Rumani, ku mbetën të plagosur civilë, transmeton Portalb.mk.

Përmes një reagimi zyrtar në platformën X, Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut theksoi se lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukraina vazhdon të paraqesë rrezik serioz edhe përtej kufijve ukrainas, duke kërcënuar sigurinë rajonale.

“Dënojmë fuqishëm sulmin me dron të Rusisë që goditi një ndërtesë banimi në Rumani, duke plagosur civilë. Lufta e agresionit e Rusisë kundër Ukrainës vazhdon të paraqesë rreziqe përtej kufijve të Ukrainës dhe kërcënon sigurinë rajonale”, thuhet në reagimin e MPJ-së.

Kujtojmë se NATO ka thirrur një mbledhje emergjente pasi një dron goditi një pallat banimi në Rumani, bëri të ditur presidenti finlandez Alexander Stubb.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Mark Rutte, deklaroi se “sjellja e pamatur e Rusisë përbën rrezik për të gjithë ne”.

Ndërkohë, ambasadori i SHBA-së në NATO, Matthew Whitaker, theksoi se: “Ne qëndrojmë pranë aleatit tonë në NATO, Rumanisë. Shtetet e Bashkuara do të mbrojnë çdo centimetër të territorit të NATO-s.”