Sonte dhe nesër repriza e shfaqjes “Terapia” në Tetovë

Pas premierës së suksesshme, shfaqja teatrore “Terapia”, një projekt i Shoqatës Kulturore “EUNEUM”, me autor dhe regjisor Sulë Rushiti Korbi, do të jepet sonte dhe nesër në Sallën e Fakultetit të Arteve në Tetovë, shkruan Portalb.mk.

“Terapia” është një tekst autorial i Rushitit, i ndërtuar si një kërkim artistik dhe skenik mbi mënyrën se si rrëfehet dhe përjetohet teatri sot. Vepra sjell një qasje më ndryshe ndaj formës dhe përmbajtjes, duke eksploruar marrëdhënie të reja mes fjalës, heshtjes, trupit dhe hapësirës skenike.

Sipas regjisorit, shfaqja nuk ndërtohet mbi narracionin klasik linear, por synon të krijojë një përvojë emocionale dhe mendore, ku publiku nuk është vetëm vëzhgues, por bëhet pjesë e tensionit të brendshëm që zhvillohet në skenë.

“Terapia nuk është teatër eksperimental, por një eksperiment teatror që synon ta ruajë poetikën teatrore dhe katarzën përmes formave të reja”, ka theksuar gjatë shfaqjes së premierës autori dhe regjisori Sulë Rushiti Korbi.

Në skenë interpretojnë aktorët Linda Shabani dhe Abdulla Osmani, të cilët sjellin një performancë të ndërtuar me përkushtim, pasion dhe angazhim të lartë artistik.

Repriza e shfaqjes “Terapia” do të jepet sonte dhe nesër, me fillim nga ora 20:00, në Sallën e Fakultetit të Arteve në Tetovë.

Organizatorët ftojnë publikun artdashës që të jetë i pranishëm dhe ta ndjekë këtë projekt teatror, i cili sjell në skenën tetovare një ngjarje të rëndësishme kulturore.