Ministrat e Mickoskit posedojnë patundshmëri në vlerë prej mbi katër milionë e gjysmë euro (Infografik)

Ministrja e Energjеtikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, ka shumën më të madhe të parave të lidhura në patundshmëri. Ajo ka deklaruar apartamente me vlerë prej mbi 1 milion euro. Ajo posedon dy apartamente në Qendër, njëri me sipërfaqe 87m2 dhe tjetri 60m2. Apartamenti më i madh kushton 80 mijë euro, ndërsa ai më i vogli 60 mijë euro. Ajo ka edhe katër apartamente jashtë vendit, dy prej të cilëve në Spanjë, një në Portugali dhe një në Serbi. Njëri apartament në Spanjë vlen 335.000 euro, ndërsa tjetri 225.000 euro. Apartamenti në Portugali është vlerësuar 162.000 euro, ndërsa apartamenti në Serbi 157.476 euro. Kur bëhet fjalë për patundshmëritë të gjithë ministrat e qeverisë së Mickoskit peshojnë 4.557.682 euro, shkruan Scoop, transmeton Portalb.mk.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Mickoski, në fletën e tij anketuese, ka deklaruar një shtëpi banimi në Vllae e cila ka vlerë prej 437.263 euro.

Menjëherë pas ministres Bozhinovska, në vendin e dytë është ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, i cili në shtëpi apo apartamente ka investuar 944.322 euro.

Taravari ka dy shtëpi banimi, një në Gostivar dhe një tjetër në Karposh, si dhe një apartament në Karposh. Ajo që është interesante është se shtëpia në Gostivar është vlerësuar në vlerë prej 700.000 euro. Shtëpia në Karposh vlen 150.475 euro, ndërsa apartamenti 93.847 euro.

Pastaj vjen ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, i cili vetëm për dy apartamente ka paguar 540.000 euro. Ai posedon një apartament në Qendër me një sipërfaqe prej 146м2 e i cili vlen 300.000 euro. Apartament posedon edhe bashkëshortja në lagjen Zllokuqan, me sipërfaqe prej 115м2, i cili vlen 240.000 euro.

Përndryshe, LSDM e akuzoi Toshkovskin dhe sekretarin e përgjithshëm të qeverisë së Mickoskit, Igor Janushev, për fshehje të pasurisë prej 400.000 eurosh në një objekt në qendër të Shkupit.

Në vendin e katërt ndodhet ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, i cili posedon një shtëpi banimi me oborr në vlerë prej 352.844 euro. Ai posedon një shtëpi banimi në Butel me sipërfaqe prej 329 m2 që ka vlerë prej 231.869 euro. Ka deklaruar edhe një oborr me sipërfaqe 317 m2 dhe kap vlerën prej 120.975 euro.

Ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov, me 309.100 euro është ministri i radhës në këtë listë. Bashkëshortja e tij ka dy apartamente, një në Karposh dhe një në komunën e Strumicës. Ai në Shkup ka një sipërfaqe prej 115 m2 dhe vlen 230.000 euro, ndërsa ai në Strumicë ka një vlerë prej 79.100 euro

Pas Fillkovit ndodhet ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçovska. Ajo posedon një apartament prej 59m2 në Qendër që ka vlerë prej 94.860 euro. Edhe bashkëshorti i saj ka një banesë në të njëjtën lagje. Apartamenti ka një sipërfaqe prej 77 m2 dhe vlerë prej 154.751 euro, dhe vlera e përgjithshme e të dy apartamenteve arrin në 249.611 euro.

Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski, posedon shtëpi banimi apo apartamente në vlerë prej 198.316 euro. Prindërit e tij posedojnë dy apartamente në Kisella Vodë, njëri me sipërfaqe 24m2 dhe tjetri me sipërfaqe 72m2. Apartamenti më i vogël vlen 20.829 euro, ndërsa ai më i madhi 62.487 euro. Në Kisella Vodë ndodhet edhe një tjetër banesë në emër të bashkëshortes me vlerë prej 115.000 euro.

Ivan Stoillkoviq, i cili është ministër i Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve Ndërmjet Komuniteteve, ka deklaruar një apartament prej 101 m2 në Kumanovë në vlerë prej 69.105 euro në emër të bashkëshortes së tij, si dhe ka një apartament 51 m2 në emër të tij në Serbi që ka një vlerë prej 117.886 euro, e kështu pasuria e tij e përgjithshme sa i përket patundshmërive arrin në 186.991 euro.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, posedon dy apartamente në Qendër dhe një shtëpi në fshatin Slloeshticë. Njëri apartament ka një sipërfaqe prej 95m2 dhe tjetri 74m2. Apartamenti i parë kap vlerën prej 78.780 euro, ndërsa tjetri 75.921 euro dhe shtëpia 20.737 euro. Vlera e përgjithshme e pasurisë së saj është 175.438 euro.

Sa i përket patundshmërive modest është edhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti. Ai ka deklaruar vetëm një shtëpi në Shkup që është pronë e prindërve. Shtëpia ka një sipërfaqe prej 516 m2, me vlerë prej 150.000 euro.

Pastaj vjen ministri i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani, i cili ka në pronësi një shtëpi banimi në Saraj, e cila ka një sipërfaqe prej 248 m2 dhe vlerë prej 120.000 euro.

Pas tij në listë është ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski, i cili ka një apartament në Kisella Vodë me vlerë prej 64.000 euro dhe një shtëpi në Petrovec në emër të prindërve me vlerë prej 48.780 euro. Pronat e tij vlejnë gjithsej 112.780 euro.

Më pas në listë ndodhet ministri i Punëve të Jashtme dhe i Tregtisë së jashtme, Timço Mucunski, i cili së bashku me bashkëshorten e tij posedojnë një apartament në Qendër, të cilin e kanë blerë këtë vit dhe që kap vlerë prej 66.838 euro.

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikolloski, është ndër të fundit në listë dhe disponon një apartament prej 60 metra katrorë në Ohër, në pronësi të bashkëshortes së tij, me vlerë prej 58.536 euro, të cilën e ka blerë në vitin 2018.

Pas Nikolloskit, i parafundit në listë është ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, i cili posedon një shtëpi banimi në Vollkovë me sipërfaqe prej 113 m2 dhe që ka një vlerë prej 55.284 euro.

I fundit në listë është ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Ljutkov, i cili posedon një apartament në Bullgari. Apartamenti ka një sipërfaqe prej 45 m2, ndodhet në Bansko dhe vlen 18.146 euro modeste.

Ata që nuk posedojnë pasuri të patundshme janë ministri i ekonomisë dhe punës, Besar Durmishi, ministri i politikës sociale, demografisë dhe rinisë, Fatmir Limani, ministri i transformimit digjital, Stefan Andonovski, si dhe ministri i sportit, Borko Ristevski, i cili ka të regjistruar vetëm një makinë dhe ora dore.