Mickoski: Rritja e pagës minimale jashtë kuadrit ligjor varet nga dialogu midis sindikatave dhe punëdhënësve
Nëse do të ketë rritje ndërhyrëse të pagës minimale jashtë kuadrit ligjor është temë dialogu midis sindikatave dhe punëdhënësve, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski, transmeton Portalb.mk.
“Sa i përket pagës minimale, ne kemi një ligj dhe e respektojmë plotësisht atë ligj. Nëse do të ketë ndonjë rritje ndërhyrëse jashtë ligjit është temë dialogu midis sindikatave dhe punëdhënësve. E di që në nëntor do të kemi seancë të Këshillit Ekonomik dhe Social dhe pres që kjo çështje të ngrihet atje, në mënyrë që ne si Qeveri të pranojmë çdo zgjidhje për të cilën do të bien dakord punëtorët dhe punëdhënësit”, tha Mickoski .
Ai shtoi se qeveria ka ndarë 53 miliardë denarë për FSSH-në.
“Qeveria ka siguruar buxhetin më të madh historik për FSSH-në deri më tani – 53 miliardë denarë. Kjo mundësoi një rritje prej 33% të kapitacionit për mjekët e përgjithshëm dhe gjinekologët, një rritje prej 23% për stomatologët, një rritje kumulative prej 17% të pagave në shëndetësinë publike, nga të cilat 9.5% janë rritje reale dhe një rritje prej 107% të kompensimit të kushtëzuar për barnat e reja inovative”, tha kryeministri.
Nga ana tjetër, ministri i Ekonomisë Besar Durmishi dje tha se nuk do të ketë rritje të shpejtë të pagës minimale nën presionin e sindikatave, dhe nuk do të ketë as shporta të shpenzimeve festive apo masa ad-hoc për stabilizimin e çmimeve dhe marzheve. Ai shtoi se se paga minimale do të rritet në mars vetëm sipas asaj që parashihet me ligj, në përputhje me formulën për llogaritje. Thekson se nuk do të ketë vendime populiste pasi ato do të rrisin inflacionin.