Mickoski: Politikanët e ardhshëm duhet të fokusohen tek inteligjenca artificiale dhe energjetika

Politikanët duhet të fokusohen te energjetika dhe inteligjenca artificiale sepse kjo është e ardhmja e botës. Politikanët që flasin për ide romantike nga e kaluara duken interesantë vetëm për një grup të vogël njerëzish, porositi sot kryeministri Hristijan Mickoski nga eventi “Youth Vision 2030: Western Balkans, Stability & AI in Education”, që po mbahet në Shkup, transmeton Portalb.mk.

“Politikanët që flasin për ide romantike nga e kaluara ndoshta duken tërheqës për një grup të vogël njerëzish, por politikanët e ardhshëm duhet të kenë njohuri paraprake për inteligjencën artificiale dhe energjinë, sepse këto janë sfidat e së ardhmes. Idetë romantike i përkasin së kaluarës, ndërsa nëse duam të zhvillojmë shoqëritë tona duhet të kujdesemi për të ardhmen, dhe ju jeni zgjidhja për të ardhmen”, tha Mickoski.

Daniel Braun, përfaqësues zyrtar i Fondacionit Konrad Adenauer, në kuadër të ngjarjes theksoi se konfliktet aktuale në botë tregojnë se rendi botëror, siç ka ekzistuar për një kohë të gjatë, është në proces shpërbërjeje. Ai theksoi se BE-ja shpesh e ka të vështirë të marrë vendime në politikën e jashtme, sepse vendet anëtare ndonjëherë kanë interesa të ndryshme.

Ai shtoi gjithashtu se, në lidhje me kërcënimet bërthamore dhe sektorin energjetik, Evropa duhet të flasë me një zë të vetëm.

“Prandaj është e nevojshme të forcohen kapacitetet e Evropës. Kancelari gjerman Friedrich Merz tha disa javë më parë se Evropa duhet të mësojë përsëri të flasë gjuhën e fuqisë. Sidomos në lidhje me kërcënimet bërthamore dhe sektorin energjetik, Evropa duhet të flasë me një zë të vetëm. Kjo nuk do të thotë se duhet të tërhiqemi plotësisht nga partneritetet e vjetra, por se duhet t’i formulojmë dhe mbrojmë qartë interesat tona”, theksoi Braun.

Më shumë se 70 liderë të rinj nga partitë simotra të Partisë Popullore Evropiane nga e gjithë Evropa, në një ngjarje në Shkup, po debatojnë për rolin e teknologjisë, stabilitetit dhe politikave rinore në të ardhmen e rajonit të Ballkanit Perëndimor.