Mickoski për ngrirjen e “balancuesit”: Vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk duhet të komentohen

Kryeministri Hristijan Mickoski vlerëson se, vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk duhet të komentohet, ndërsa për reagimet e partive shqiptare, përfshirë edhe nga partnerët e koalicionit qeveritar, pas vendimit të Kushtetueses për fillimin e procedurës dhe ngrirjen e “balancuesit”, ai thotë se janë në përputhje me atë që kanë diskutuar në të kaluarën, transmeton Portalb.mk.

“Ai reagim është në përputhje me atë që e kemi biseduar më herët. Praktikisht, avancimet dhe punësimet duhet të jenë të bazuara në cilësi, dhe kjo është ajo që ne praktikisht e flasim gjatë gjithë kohës”, tha Mickoski.

Duke iu përgjigjur në pyetjet e gazetarëve, kryeministri tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk është i formës së prerë, por se e kanë pezulluar atë pjesë të ligjit deri në marrjen e vendimit përfundimtar.

“Unë do të qëndroj në pozicionin tim që vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk duhet të komentohen. Ndonjëherë na pëlqejnë, ndonjëherë nuk na pëlqejnë, por nuk mendoj se duhet komentuar”, tha Mickoski.

Nga ana tjetër, ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, pjesë e koalicionit qeverisës VLEN, e cilësoi të nxituar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për nisjen e procedurës për “balancuesin”, duke shtuar se në këtë periudhë nuk nevojiten situata të tilla, siç tha ai, të tensionuara.

Taravari tha se kanë pasur marrëveshje me partnerët e koalicionit nga VMRO-DPMNE që fillimisht të merren vesh për ligjin për përfaqësim të drejtë të të gjitha komuniteteve, e më pas të zgjidhet çështja e “balancuesit”.

Sipas ministrit të Shëndetësisë, “balancuesi” ishte një mjet i mirë, por së fundmi ka filluar të keqpërdoret.

Ligji i ri për përfaqësim të drejtë, siç tha ai, fillimisht duhet të sinkronizohet me partnerët e koalicionit dhe më pas të kalojë në Kuvend.

Nga ana tjetër, ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, nga partia ZNAM e kryetarit të Kumanovës, Maksim Dimitrievski, thotë se personalisht e mirëpret vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ai thotë se ministria do të presë vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese para se të fillojë të krijojë një zgjidhje të re të mundshme ligjore.

“Sigurisht që unë dhe Ministria e Administratës Publike do të prisnim vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese. Varësisht se çfarë do të jetë, ne do t’i qaseshim një zgjidhjeje të re të mundshme ligjore. Shpresoj që brenda koalicionit qeveritar të kemi një debat të hapur për atë që vijon. Dënoj çdo thirrje për protestë apo destabilizim të shtetit për heqjen apo masën e përkohshme të ‘balancuesit’”, thotë ministrja e Administratës Publike.

Gjykata Kushtetuese me 18 shtator 2024 vendosi të nisë procedurë për hapjen e lëndës pas nismës së KSHPK-së që konteston dispozitat që kanë të bëjnë me përfaqësimin e drejtë etnik në institucione, i njohur ndryshe si “balancuesi”.

Ndryshe, ministri i Administratës Publike Goran Minçev më 27 korrik tha se janë ndryshuar përqindjet e balancuesit, mjeti për punësim sipas nacionalitetit në institucionet shtetërore. Në gusht 2022, ministri i atëhershëm Admirim Aliti bëri një përllogaritje të re, duke numëruar diasporën nga regjistrimi i vitit 2021 dhe rriti përqindjen e punësimit të shqiptarëve në 29.54%. Kështu, sipas përllogaritjeve të reja në planet vjetore të punësimit në institucionet e sektorit publik, korrigjohen përqindjet: maqedonas nga 54,21% në 58,44%, shqiptarë nga 29,52% në 24,30%, turq nga 3,98% në 3,86%, romë nga 2,34%. në 2,53%, serbët nga 1,18% në 1,30%, për boshnjakët mbetet njëjtë dhe vllehët nga 0,44% në 0,47%.