Mickoski pas rivotimit në NJZ 5 pret sigurim të shumicës së dy të tretës

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski sot në një deklaratë për media theksoi se pas rivotimit në Njësinë Zgjedhore 5 pret shumicë në Kuvend me 62 deputetë, njofton Portalb.mk.

Kjo, siç tha ai, do të ishte mundësi historike. Mickoski sot në fshatin Razllovci potencoi se qëllimi i tyre i ardhshëm është shumica e dy të tretave në Kuvend.

“Mendoj se shumë shpejtë, tashmë sot, deri në fund të javës do të mund ta realizojmë këtë, me çka do të ndryshohet ligji për organizimin e resorëve në qeveri, do të marrim qeveri me strukturë të re, qeveri moderne, qeveri e cila do t’u shërbejë nevojave të qytetarëve”, theksoi Mickoski.

Më 22 maj 2024 (e mërkurë) do të ketë rivotim në gjashtë vendvotime në NJZ 5 dhe një në NJZ 6. Vendvotimet 1470/1 dhe 1470 në Komunën e Dollnenit, 1194 dhe 1202 në Komunën e Krushevës, 1844 në Komunën e Strugës dhe 1272 në Komunën e Ohrit, si dhe 2101 në Komunën e Zhelinës, pasi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve dhe Gjykata Administrative i refuzuan si të pabaza të gjitha shtatë paditë nga “Fronti Evropian”.

Paraprakisht, Arben Taravari nga koalicioni “Vlen” sot në intervistë për Radio Televizionin e Kosovës ka dekaruar se në Qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut, shqiptarët do të udhëheqin me gjashtë ministri dhe me kryetarin e Kuvendit.

Koalicioni “Vlen” dhe VMRO-DPMNE kanë formuar grupe pune të cilët po zhvillojnë takime për negociata për koalicionim të përbashkët. Koalicioni “Maqedonia jote” që udhëhiqet nga VMRO-DPMNE ka fituar 58 mandate, ndërsa Koalicioni VLEN 13.

Zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare në RMV u mbajtën me 8 maj 2024.