Mickoski paralajmëroi investim të ri: Një kompani gjermane do të prodhojë bateri litiumi, mundësi për 700 vende pune

Tashmë nesër do të kemi vendosjen e  gurthemelit të ri të një kompanie që vjen nga Gjermania, ku do të prodhohen bateri litiumi. Këtë e ka bërë të ditur sot kryeministri Hristijan Mickoski pas vizitës në çerdhen në Komunën e Ilindenit, ku ka treguar se investimi i ri vjen pas dy muajsh punë për heqjen e mangësive, transmeton Portalb.mk.

“Po, tashmë nesër, pas dy muajsh punë të palodhur dhe heqjes së të gjitha atyre mangësive që janë akumuluar në muajt e kaluar, do të kemi vënien e një gurthemeli të ri për një kompani që vjen nga Gjermania”, tha kryeministri Hristijan Mickoski.

Ai informoi se investimi është afërsisht 60 deri në 65 milionë euro, diku rreth 700 vende të reja pune dhe se do të prodhohen bateri litiumi.

Sipas tij, me përfundimin e këtij investimi do të rritet eksporti, e me këtë do të zvogëlohet diferenca, pra deficiti ndërmjet eksporteve dhe importeve dhe në këtë mënyrë do të rritet prodhimi i brendshëm bruto.

Kujtojmë se më 9 korrik u paralajmërua se Vabptek-u amerikan do të investojë 35 milionë euro në Maqedoninë e Veriut. Investimet do të bëhen në prodhimin e frenave për mjetet hekurudhore.

Më 5 korrik, u njoftua se kompanitë gjermane EPSOTECH e cila në partneritet me kompaninë belge AIM do të investojë në ndërtimin e një fabrike të re prodhuese në vend, për të cilën do të investohen 20 milionë euro. Siç njoftoi Qeveria e Maqedonisë së Veriut për një vit do të hapen 110 vende të reja pune.

Nga ana tjetër në fund të qershorit 2024, Qeveria shpalli një investim tjetër po aq të madh. Më 25 qershor 2024Alcazar Energy Partners, investitori kryesor në burimet e rinovueshme të energjisë në tregjet në zhvillim, njoftoi fillimin e investimit të parkut më të madh të erës në Maqedoninë e Veriut me kapacitet deri në 400 MW.

Projekti i parë më i madh i kësaj natyre u premtua nga kompania gjermane WPD, e cila planifikonte të ndërtojë një elektranë me turbinë ere prej 415 megavat në drejtimin Kumanovë – Nagoriçani i Vjetër– Kriva Pallankë në vlerë prej rreth 500 milion euro. Ky invetim gjerman konsiderohej më i madhi në Maqedoninë e Veriut dhe investimi i parë më i madh në segmentin e energjisë së gjelbër të vendit që nga pavarësia e tij në vitin 1991. Megjithatë ky partnetitet mbeti i pa zyrtarizuar me ndonjë ligj të veçantë, e as nuk u nënshkrua ndonjë kontratë.