Mickoski e Mexhiti për idenë e Akademisë Shqiptare: Mendimet e ndryshme do të diskutohen brenda koalicionit qeveritar

Në kuadër të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (AShAM) ka shkencëtarë nga etni të ndryshme dhe aty duhet të fokusohemi për ta pasuruar me mendim shkencor, tha kryeministri Hristijan Mickoski. I pyetur nga një gazetar për qëndrimin e tij lidhur me njoftimet e koalicionit “VLEN” për themelimin e Akademisë së posaçme Shqiptare të Shkencave dhe Arteve dhe mosmarrëveshjet në koalicionin qeveritar për këtë temë, Mickoski ka treguar se qëndrimi i tij është në të njëjtën linjë si i partisë VMRO-DPMNE, nga ku dje vlerësuan se AShAM është institucioni i vetëm që bashkon mendimin shkencor në vend, transmeton Portalb.mk.

“E ardhmja nuk është në ndarje, por në bashkim. Vlerësoj që ne duhet ta zhvillojmë në këtë drejtim. Kemi bashkëpunim të sinqertë me të gjithë partnerët e koalicionit, me ‘VLEN’ dhe me ZNAM-in dhe në këto pesë javë që jemi qeveri e re kemi bashkëpunim parimor”, tha Mickoski.

Sipas Mickoskit, mes partnerëve qeveritarë ka qëndrime të ndryshme, por ato diskutohen në një tryezë të përbashkët.

“Nuk duhet të biem dakord për gjithçka. Është çështje të biesh dakord për shumicën e gjërave. Të gjithë jemi individë të veçantë, parti të veçanta politike dhe është e logjikshme të kemi qëndrime të ndryshme për tema të caktuara, por në një dialog të brendshëm, në një proces debati të brendshëm, ato keqkuptime duhet të kapërcehen nëse ka vend për t’i kapërcyer. Në një familje në shtëpi, jo gjithmonë je dakord me anëtarët e asaj familjeje, ndonjëherë do të hasësh keqkuptime, por në një dialog, në një mjedis miqësor demokratik, duhet t’i kapërcesh”, tha Mickoski.

Mosmarrëveshjet në Qeveri për çështjen e themelimit të “Akademisë Shqiptare të Shkencave dhe Arteve” i ka konfirmuar edhe zëvendëskryeministri Izet Mexhiti. Në një deklaratë të veçantë nga i njëjti manifestim në Odën Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, ku ishin të pranishëm dy zyrtarë qeveritarë, Mexhiti tha se është një iniciativë pozitive nga e cila do të përfitojë shteti.

“Të gjithë duhet ta shohin pozitivisht dhe të jenë të lumtur që shqiptarët dhe qytetarët e tjerë duan t’i përkushtohen më shumë kërkimit shkencor dhe arritjeve akademike. Mendoj se me kaq shteti nuk humbet, është investim për të ardhmen. Pas shumë debatesh dhe kërkesash janë tre-katër akademikë, por në ASHAM nuk ka asnjë punonjës. Pra, askush nuk mund të më bindë se nuk ka shqiptarë që mund të punojnë në ASHAM”, ka theksuar Mexhiti.

I pyetur për mosmarrëveshjet me partnerin e koalicionit ZNAM për përdorimin e “balancuesit” për punësimin në administratë, Mexhiti theksoi se të gjithë ministrat në qeveri duhet të fokusohen në çështje më të rëndësishme dhe jo në provokime, siç tha ai. Sipas tij, përkundër tezave të kundërta, Qeveria është stabile, dhe keqkuptimet, siç tha Mexhiti, do të diskutohen brenda koalicionit qeveritar.

Paraprakisht, ministri i Shëndetësisë dhe një nga liderët në koalicionin “VLEN”, Arben Taravari, tha se në koalicionin qeverisës nuk ka asnjë mosmarrëveshje pas idesë së krijimit të “Akademisë Shqiptare të Shkencave dhe Arteve”. Sipas Taravarit, ideja e krijimit të Akademisë Shqiptare ishte përcaktimi i tyre programor që në fushatën para zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare.

Taravari thotë se idenë e kanë nisur si iniciativë e katër komunave dhe shpreson se në të ardhmen do të gjendet një zgjidhje e pranueshme për të gjithë.

“Nuk kemi asnjë mosmarrëveshje. Unë gjithmonë mendoj se idetë për shkencën dhe artin janë të mira dhe të bukura. Kështu që tani për tani kemi filluar si iniciativë e katër komunave dhe shpresoj se në të ardhmen do të gjejmë një zgjidhje që do të ishte e pranueshme për të gjithë ne që jetojmë në Maqedoni”, tha Taravari.

Taravari thotë se pajtohet me reagimin e djeshëm të VMRO-DPMNE-së, e cila është edhe partneri i tyre në koalicion, se shkenca nuk duhet të etnizohet.

“Shkenca nuk etnizohet kurrë, nuk e etnizojmë. Kemi më shumë Universitete, do të kemi më shumë institucione që merren me shkencë dhe art, dhe këto institucione duhet t’i zhvillojmë sa më shumë dhe t’i mbështesim. Të gjithë të bëjmë maksimumin që shkenca dhe arti i të gjitha bashkësive etnike që jetojnë në Maqedoni të zhvillohet sa më bukur dhe më mirë”, shtoi Taravari.

Qëndrimi i tyre u përsërit edhe sot nga koalicioni “VLEN”, nga ku thanë se qëllimi i kësaj ideje është integrimi i intelektualëve shqiptarë brenda shtetit, jo përçarja, segregimi apo krijimi i paralelizmit, sepse siç thonë ata, për shumë kohë shqiptarët janë përballur me dyer të mbyllura nga Akademia e Shkencave dhe Arteve në Maqedoninë e Veriut (ASHAAM).

Lidhur me ankesat e partnerëve të koalicionit, ata thanë se reagime mund të ketë gjithmonë, por se nuk i shmangen premtimit parazgjedhor dhe angazhimit që votuesit shqiptarë të jenë të kënaqur me qeverisjen e tyre.

Krerët e koalicionit “VLEN” kanë njoftuar këtë fundjavë nga Tetova se do të sigurohet financim komunal për shoqatën “Akademia e Shkencave dhe e Arteve Shqiptare”.

Financimi komunal, siç thonë nga “VLEN”, duhet të jetë një zgjidhje e përkohshme dhe do të kërkojnë që akademia të financohet nga buxheti i shtetit.

Ndërkohë, përmes një reagimi edhe LSDM është shprehur kundër hapjes së Akademisë Shqiptare të Shkencave dhe Arteve.

“AShAAM duhet të mbetet institucioni i vetëm në të cilin anëtarësohen shkencëtarë të njohur nga të gjitha bashkësitë etnike. Edhe ASHAAM-ja duhet të jetë institucion që nuk guxon të jetë partiak apo të keqpërdoret nga individë për nevoja politike ditore. Kjo është diçka që ka ndodhur në të kaluarën. Por ajo që duhet të dijë opinioni është se çfarë premtoi Mickoski para formimit të Qeverisë lidhur me këtë kërkesë të VLEN-it? Kjo nuk është hera e parë që VLEN dhe drejtuesit e saj e përmendin Akademinë Shqiptare si projekt, por Mickoski dhe VMRO-DPMNE kanë heshtur me kokëfortësi”, thonë nga LSDM.

Reagim ka ardhur edhe nga lideri i ZNAM-it, Maksim Dimitrievski, partia e të cilit është gjithashtu pjesë e koalicionit qeveritar. Sipas tij, bëhet fjalë për populizëm paszgjedhor nga ana e partnerit “VLEN”, e cila tha se duhet të jetë e orientuar drejt rritjes dhe zhvillimit ekonomik të shtetit, një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët dhe një angazhim thelbësor për shtypjen e krimit dhe korrupsionit, duke përfshirë, siç thotë ai, dhe korrupsionin politik. Për këtë, sipas Dimitrievskit, duhet ofruar edhe kuadro me të kaluar të pastër pa krime.

BDI-ja ka thënë se “VLEN” është dashur ta marrë drejtimin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, e jo, siç thonë ata, të dalë me “idenë e madhe komunale”.

Për këtë çështje është shprehur edhe akademiku Vlado Kambovski, i cili në një paraqitje i ftuar në TV 24 tha se një strukturë e tillë është e pamundur të ekzistojë në një vend ku tashmë ekziston Akademia.