Mexhiti-Lashko: Me rëndësi të madhe për Ukrainën është ndihma me barna nga Maqedonia e Veriut

Ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti zhvilloi një video-konferencë me Ministrin e Shëndetësisë së Ukrainës Viktor Ljashko, transmeton  Portalb.mk.

Ministri ukrainas Viktor Ljashko në këtë konferencë shprehu mirënjohje për Qeverinë e Maqedonisë së Veriut dhe Ministrinë e Shëndetësisë për mbështetjen humanitare për Ukrainën.

“Me rëndësi të madhe për qytetarët e Ukrainës është kontributi në kujdesin shëndetësor, si dhe ndihma humanitare, e cila i është dhuruar Ukrainës nga Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut në disa raste në periudhën e kaluar”, ka theksuar ministri ukrainas Ljashko.

Ndihma humanitare nga Maqedonia e Veriut përbëhej nga barna dhe pajisje mjekësore, medikamente dhe antibiotikë.

“Maqedonia e Veriut gjithmonë di të ofrojë ndihmë dhe mbështetje në mbrojtjen e popullatës civile dhe të jetë humane dhe solidare në momentet më të vështira”, kumtoi ministri Mexhiti.

Në video-konferencë është biseduar në lidhje me bashkëpunimin midis vendeve në kuadër të Programit Ndërkombëtar të Partneritetit Mjekësor, i cili zbatohet nën kujdesin e Zonjës së Parë të Ukrainës Olena Zelenski, me qëllim krijimin e një partneriteti efektiv midis institucioneve shëndetësore të Ukrainës dhe vendeve të huaja. Por, gjithashtu edhe për bashkëpunimin e institucioneve shëndetësore mes dy ministrive të shëndetësisë, të cilat do të konsistonin në shkëmbimin e përvojave mbi sfidat aktuale në fushën e kujdesit shëndetësor.