Meta, Rama, Gruevski: Tensione dhe akuza midis deputetëve të ASH-së dhe ministrit të VMRO-së, Nikolloski
Një përplasje e ashpër verbale ka ndodhur në Kuvendin e Maqedonisë gjatë seancës së pyetjeve të deputetëve, ku përfaqësues të opozitës dhe Qeverisë shkëmbyen akuza të ndërsjella lidhur me ndërhyrjet në çështje të brendshme dhe lidhjet politike rajonale. Deputeti i ASH-së, Halil Snopçe, kërkoi sqarime nga zëvendëskryeministri Aleksandar Nikolloski për deklaratat e tij të mëhershme, në të cilat kishte akuzuar autoritetet shqiptare për mbajtjen e padrejtë në paraburgim të ish-presidentit Ilir Meta. Snopçe e kritikoi Nikolloskin për ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë dhe i tha që të kërkojë falje publike, transmeton Portalb.mk.
Nga ana tjetër, Nikolloski u kundërpërgjigj duke e zhvendosur debatin te aktivitetet e brendshme të ASH-së. Ai ngriti pretendime për një vizitë të kryetarit të partisë, Arben Taravari, në Tiranë, ku sipas tij kishte kërkuar ndihmë nga kryeministri shqiptar Edi Rama. Sipas Nikolloskit, Rama i kishte sugjeruar Taravarit bashkëpunim me Ali Ahmeti.
“A është e vërtetë se pasi kryetari juaj Arben Taravari ngeci në probleme me rastin “Gjoka” ka shkuar te kryeministri i Shqipërisë Edi Rama të kërkojë ndihmë dhe kryeministri Edi Rama i ka thënë se unë mund të të ndihmoj por më shumë se unë mund të të ndihmojë Ali Ahmeti, dhe kështu ju parkoi në koalicion me Ali Ahmetin. Gjithashtu do të doja t’ju lus sepse e di se kjo do të transmetohet, nëse dikush në Shqipëri ka për të thënë diçka për këtë që unë e them, lirisht le ta thonë dhe mos t’u shfrytëzojnë juve. U kanë dhënë rol të papërshtatshëm”, deklaroi Nikolloski.
Në reagim ndaj këtyre deklaratave, deputeti Rijad Shaqiri, hodhi akuza të rënda ndaj Nikolloskit, duke e cilësuar atë si të përfshirë në korrupsion dhe duke pretenduar se figura të caktuara politike kanë qenë pjesë e strukturave që kanë keqpërdorur miliona euro.
Kjo kategori e njerëzve të cilët mundohen të përfitojnë nga këto deklarata, nuk do ti tolerojmë. Ne e njohim kush është personi në fjalë, e dimë se kujt i ka shërbyer. E dimë kush ka qenë struktura paraprake që kanë vjedhur miliona euro dhe i kanë dërguar në Hungari. E dimë kush janë këta, dhe ky ka mbetur të flet korrupsion? Po ky është njeriu më i korruptuar në shtet, ky është hajni më i madh dhe ky paska mbetur të flet për diçka” , tha Rijad Shaqiri nga ASH.
Tensionet në Kuvendi i Maqedonisë së Veriut janë bërë të shpeshta kohët e fundit, duke reflektuar përçarjet e thella politike dhe etnike në vend. Në disa raste, debatet kanë kaluar nga diskutimi institucional në përplasje të ashpra, ku deputetët kanë përdorur gjuhë fyese dhe akuza personale, duke zëvendësuar argumentin me etiketime dhe ofendime. Po ashtu, çështje si përdorimi i gjuhës shqipe vazhdojnë të shkaktojnë tensione, si në rastin kur mungesa e materialeve të përkthyera çoi në bllokim të seancës dhe akuza për diskriminim nga deputetët shqiptarë.