Mesjeta e re

Deri tani ishim mësuar ta idealizojmë demokracinë amerikane. SHBA ishin vendi i përparimit, vendi ku vendoseshin trendet botërore, vendi ku jetohej ëndrra amerikane që nënkuptonte që secili ka mundësi të arrijë sukseset më të larta në jetë nëqoftë se punon dhe zhvillohet me shumë përkushtim. SHBA ishin vendi që reagonte ndaj padrejtësive, vendi që përkrahte njerëzit e shtypur dhe të diskirminuar, si që bëri në Ballkan në vitet 1990-2000. SHBA ishte vendi ku president zgjidhej njeriu me autoritet, e për të cilin vlente ligji, ku nëse presidenti thente ligjin mund të detyrohej të largohet nga pozita si që ka ndodhur në të kaluarën. SHBA ishte vendi që personifikonte sundimin e së drejtës, ku gjykatat ishin të pavarura, dhe ku institucionet shtetëtrore funksioninin sipas ligjit. SHBA ishte vendi që shërbente si shembull i demokracisë që nga viti 1776, kur Etërit Themelues e nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë që vendosi themelet e një shteti modern liberal.

Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 fitoi Donald Trump, i cili u rikthye në pozitën më të lartë në shtet pas katër vitesh administrim të Joe Biden, duke e fituar kundërkandidaten, zëvendës-presidenten Kamala Harris. Trump ishte presidenti i cili pasi i humbi zgjedhjet në vitin 2020, me fjalimet e tij ku thoshte se zgjedhjet janë manipuluar dhe se i kanë vjedhur votat, i nxiti qytetarët ekstremistë që të sulmojnë Kapitolin në sulmin e 6 Janarit 2021. Kjo ishte një ngjarje e paparë në atë vend ku transferi i qetë i pushtetit është shikuar gjithmonë si baza e demokracisë. Trump është një person i dënuar për vepra penale. Dhe tani Trump, me një fitore bindëse dhe përparësi të pakontestueshme, është sërish president i shtetit më të fuqishëm në botë. Edhe Amerika nuk është më ajo që ka qenë dikur!

Rikthimi i fuqishëm i Trumpit duhet ta bëjë botën progresive të mendojë thellë për atë që po ndodh gjithandej në planetin tonë. Autorkatët janë gjithnjë e më të dëshiruar, pavarësisht që shkelin ligje dhe sillen si bulizues. Shoqëria është krejtësisht e ndarë, dhe shumicë janë ata që frikësohen nga ndryshimet, nuk e duan diversitetin, i mohojnë ndryshimet klimatike dhe janë krejtësisht kundër barazisë gjinore dhe barazisë në përgjithësi. Në një botë të tillë, një grua me ngjyrë dhe me përgatitje të lartë profesionale dhe njerrëzore, një grua, sado e suksesshme të jetë, nuk paska pasur mundësi të fitojë.

Mirë se erdhët në mesjetën moderne, në këtë kohë kur autokratët janë sërish në krye të pushtetit, ku e djathta ekstreme dhe konzervative po fiton gjithnjë e më tepër fuqi gjithandej nëpër botë, dhe ku pabarazite e të gjitha natyrave po bëhen gjithnjë e më të thella. Në këtë mesjetë moderne njerëzit do të fillojnë të adaptohen gjithnjë e më tepër në një mjedis të pabarabartë, dhe me kalimin e kohës, të drejtën e burrave të bardhë, kozervativë dhe bulizues për të qeverisur do të fillojnë gjithnjë e më shumë ta shohin si të drejtë që buron nga vetë perëndia, pikërisht ashtu si që e kanë parë në mesjetë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.