Mendim Murtezi, Xhezair Rexhepi, Elmir Sejfullai flasin për vitin 2023: Përmendin njerëz, ngjarje e institucione të suksesshme

Portalb.mk përmes një pyetësori të thjeshtë do të sjellë personalitete të ndryshme që do veçojnë suksesin e tyre për këtë vit, ngjarjen ose personalitetet që mendojnë se kanë bërë diçka të veçantë, institucionin më të rëndësishëm, po ashtu dhe qytetin më aktiv. Na ndiqni ditët në vijim, derisa numërimi mbrapsht të fillojë. Për çka do ta mbajmë mend vitin 2023? Të përgjigjemi së bashku! 

Mendim Murtezi
Mendim Murtezi

Sukseset e drejtorit të Teatrit të Kumanovës Mendim Murtezit në plan profesional –  Filmi “The Business of Pleasure” me shumë çmime në festivale ndërkombëtare e rajonale. Premiera e filmit “I fshehuri”   në Shkup, mandej filmi televiziv “Ëndrra”. Premiera e shfaqjes teatrale “Exodus”, mandej prezantimi  me shfaqjen “Fluturimi mbi teatrin shqiptar” në festivalin ‘’Moisiu’’ në Tiranë. Organizimi e manifestimit të 28 Nëntorit- Ditës së Flamurit në Kumanovë.

 Njerëzit që veçoj për këtë vit janë: futbollistët e kombëtares për sport, kuptohet. Ndërsa, të kulturës janë shumë: Kushtrim Bekteshi, Qëndrim Rijani, Arben Kumbaro, Fatos Berisha etj.

 Institucione që veçon-  Shtëpia e Kulturës – Kumanovë, me shumë ngjarje kulturore, Teatri Shqiptar me shfaqje teatrore, Teatri Maqedonas gjithashtu, Ansambli i këngëve dhe valleve ‘’Bajram Shabani’’, ekspozita të ndryshme, promovime librash, Festvali Teatror “Ditët e komedisë” etj.  Arritjet e tjera teknologjike.  Veçoj Tetovën si qytet.

 Uroj paqe në botë! Stop luftës!

Xhezair Rexhepi
Xhezair Rexhepi

Sukseset e skulptorit Xhezair Rexhepi – Organizimi i  Kolonisë Ndërkombëtare “Gostivari 2023” me shoqatën e artistëve “Draudacum”.

Pjesëmarrja ime në realizimin e projektit të restaurimit dhe konservimit të  “Mozaikut” në Palatin Theodosian në  sitin arkeologjik Stobi si pjesë e fondacionit Balkan Heritage.

Organizimi  punëtorisë së qeramikës ‘’Terra- Art’’ si dhe më e rëndësishmja si për gjithë komunitetin artistik figurative gjithashtu edhe për mua është themelimi i institucionit kombëtar “Galeria e Gostivarit” nga Qeveria RMV-së. Suksesi i im në këtë është që  kam qenë një ndër iniciatorët për themelimin e Galerisë së Gostivarit dhe njëherit jam emëruar ushtrues detyre- drejtor për ta bërë konstituimin e së njëjtës.

Që do kisha veçuar, që më kanë lënë përshtypje janë Reshat Ameti piktor dhe profesor i cili gjatë vitit ka realizuar një numër të madh të ekspozitave të njëpasnjëshme si kombëtare po ashtu edhe ndërkombëtare, e veçanta e atij është se posedon energji të jashtëzakonshme në krijimtari dhe veprimtari artistike si dhe Andi Ismaili një talent i ri i vallëzimit modern që ka arritur të vlerësohet lartë në arenën ndërkombëtare për talentin e tij në këtë fushë.

Institucioni që veçon –  Ansambli i Këngëve dhe Valleve Shqiptare në RMV.

Aktivitetet e Ansamblit gjatë gjithë vitit kanë arritur që të promovojnë denjësisht trashëgiminë kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.

Arritje në teknologji – Këtu do  të dalloja dy të rinjtë nga Gostivari, Jahjaj Nur Zulbeari dhe Onur Bajramoglu, këto dy studentë kanë arritur që në NASA- “Space app Challenge 2023” të fitojnë vendin e parë në fushën e teknologjisë ku kanë krijuar një hartë që merr informacione  të drejtpërdrejta përmes satelitit të Nasas ku ka një zjarr, me koordinata të sakta dhe paralajmëron njerëzit që janë afër zjarrit.

Onur dhe Jahja do ta vizitojnë qendrën hapësinorë “Kenedy” të Nasas në Amerikë, si një udhëtim shpërblyes për tu takuar me astronautë.

Mesazhi , urimi …

Të arrish një fundvit me shëndet dhe sukses do të thotë edhe një fillim i ri. Mbaje shpirtin dhe vendosmërinë të patundur dhe gjithmonë do të ecësh në një rrugë me lavdi. Me guxim, besim dhe përpjekje, do ta arrish çdo gjë që ke dëshiruar. Uroj një vit me shëndet dhe shumë suksese!

Elmir Sejfullai
Elmir Sejfullai

Sukseset e aktorit nga Teatri i Tetovës  Elmir Sejfullai  

Në planin privat jam i gëzuar që me Asociacionin për Fibrozë Cistike arritëm që të sjellim ilaçin “Trikafta” në Maqedoninë e Veriut dhe tash më një numër i pacientëve e përdorin atë. Megjithatë, lufta jonë në këtë drejtim do të vazhdoj deri sa me këtë ilaç të pajiset edhe pacienti i fundit i prekur nga kjo sëmundje. Ndërkaq, në planin profesional jam i lumtur që këtë vit arrita të realizoj shfaqjen time të parë në cilësi të regjisorit “Mos i luaj anglezët”, në Teatrin e Gostivarit dhe monodramën “Si të më kuptosh mua me autizëm”, të cilën e  realizova si projekt privat. Me shfaqjen ‘’Mos i luaj anglezët’’ kemi qenë pjesëmarrës në shumë festivale ku kemi marr edhe çmim, si dhe kemi qenë mysafirë të Shoqatës së Shqiptarëve në Bosnjë dhe Hercegovinë në Sarajevë, ku u pritëm shumë mirë. Ndërsa, me  shfaqjen “Si të më kuptosh mua me autizëm”, kam realizuar një nevojë shpirtërore për të kontribuar sado pak në vetëdijesimin e shoqërisë tonë sa u përket të prekurve nga kjo sëmundje.

Njerëz që veçon … Do e veçoja  profesorin tim dhe dekanin e Fakultetit të Arteve, Prof. Ord. Senad Abdulin, i cili me marrjen e detyrës për një kohë të shkurtër arriti që të sjellë një atmosferë të re në procesin akademik në kuadër të këtij fakulteti. Gjithashtu, veçoj Sulejman Rushitin i cili si drejtor i Teatrit të Gostivarit arriti që me angazhimin e tij të sjellë një vit të pasur teatral me programin e realizuar në Teatrin e Gostivarit, ku u shfaqën tri shfaqje në gjuhën shqipe, një në gjuhën maqedonase dhe një në gjuhën turke, por edhe të lëviz të gjitha këto shfaqje në festivale dhe teatro të ndryshëm brenda dhe jashtë vendit.

Institucioni që përmend–  Po kjo ndërlidhet me atë çka shkrova më lartë për Sulejman Rushiti, andaj nuk do e zgjas, pra, mendoj se Teatri i Gostivarit meriton duartrokitje për vitin tashmë të kaluar kalendarik.

Arritje në shkencë, mjekësi, teknologji…

Është një punë e madhe që e ka bërë i riu nga Presheva Lirik Behluli i cili ka bërë zbulim shkencor në “Gjenetikë” në Universitetin e Bohemisë të Republikës Çeke. Ai ka bërë kërkim shkencor, në të cilin, ka kontribuuar si zhvillues i programeve kompjuterike për të analizuar të dhëna gjenetike.

Zbulimi është bërë rreth gjenit DNMT3L, i cili rregullon metilimin e ADN-së, që ka rol krucial në gjenetikën e organizmit në fazat e tij zhvilluese, qysh prej fazës embrionale.

Mesazhi i fundvitit, urimi…

Uroj të kemi shëndet, dashuri dhe empati për njëri- tjetrin. Të kontribuojmë sa më shumë për shoqërinë duke u përpjekur që ta përmirësojmë atë, secili në atë që dimë të bëjmë më së miri. Jam i bindur që për një shoqëri të shëndosh është më i rëndësishëm aktivizmi i shoqërisë civile se sa politika.