Memorje e shkurtër

Kolektivisht vuajm nga memorja e shkurtër. Harrojmë shpejt shumë gjëra të rëndësishme. Dhe kur harrojmë shumë, i përsërisim gabimet. Politikanët tanë janë posaçërsht haraqë. Atyre u duhen rikujtime të vazhdueshme për gjërat me rëndësi jetike. Ndryshe nuk veprojnë për ta bërë atë që duhet.

Të gjithë flasin për atë se duhet patjetër të anëtarësohemi në Unionin Evropian. E megjithatë, kur vjen koha të bëhen gjërat e duhura për këtë, befas memorja zhduket dhe fillojmë nga e para. Sërish duhet të debatojmë sa e rëndësishme është Evropa për ne. Sërish duhet të zihemi se cili nga ne është evropian më i madh. Sërish duhet të fjalosemi se kush është me perëndimin e kush me rusët. Sërish fillon gara se kush është patriot më i madh, kush e do më shumë gjuhën, flamurin, kombin… Është absurde se si gjithmonë fillon nga e para ky muhabet, e kur zgjedhjet janë afër, atëherë gjithçka bëhet ende me senzacionale, ende më emocionale, ende më dramatike.

Habitem si harxhojnë energji figura të larta të diplomacisë ndërkombëtare të vinë të na rikujtojnë gjërat e rëndësishme që duhet ti bëjmë, vendimet që duhet ti marrim. Shyqyr që janë këta miq të mëdhenj që nuk denjojnë të humbasin dy ditë nga koha e tyre e çmuar për të ardhur e për të na kujtuar se ku jemi dhe çfarë pritet nga ne. Kjo krejt me qëllim të mirë, për përparimin tonë, për integrimin tonë në UE, për krijimin e kushteve të tilla që të mos mbesim tërësisht bosh si territor, por që dikush të ketë perspektivë për të jetuar edhe këtu. Dhe kështu, miku jonë Eskobar, ka marrë mundimin për të kaluar oqeanin, dhe për të ardhë të qëndrojë dy ditë në këtë vend që nuk duket në hartë, dhe për të na bërë të reflektojmë për vendimin e rëndësishëm që duhet ta marrim tani për ti bërë ndryshimet kushtetuese, që të na hapet rruga për në Unionin Evropian. Pra miku i nderuar duhet ta marë gjithë këtë udhëtim, për të na rikujtuar diçka që ne shumë mirë e dimë, sepse vet e kemi nënshkruar dhe e kemi ratifikuar në Kuvendin tonë! Dhe këtë të gjithë e dimë por ja, disi e harrojmë, prandaj miqtë duhet të vinë të na përmendin nga harresa dhe të na rikujtojnë vendimet me rëndësi që duhet t’i marrim. Në kohën kur bota digjet nga zjarre të shumta, nga luftëra të hapura e të fshehta, në kohën kur ndryshimet klimatike po shkojnë drejt kulminacionit e na rikujtojnë për rëndësinë jetike të veprimeve të sotshme që e formësojnë të ardhmen tonë, ne merremi ende se a duhet disa komunitete etnike të shtohen në Kushtetutë ose jo. Kjo është vërtet absurde!

Është koha të bëhemi më të vëmendshëm e të mos harrojmë kaq shpejt. Është koha të shohim se si t’i zgjidhim vet probleme tona e të mos presim të na i zgjidhin të tjerët. Është koha të bëhemi të vetëdijshëm që veprimet tona të sotme e formësojnë të ardhmen. Sepse pas disa vjetësh, kur edhe autobusi i fundit plot me të rinj do të niset nga ky vend duke thënë lamtumirën, askush nuk do të flasë më për atë se kush kë e mbrojti, kush tradhtoi e kush qe patriot, por të gjithë do të mbahen mend si dështakët që e nuk arritën të mbajnë askend në këtë vend pa e bërë të arratiset drejt një ardhmërie më të mirë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.