Më shumë se një e treta e votuesve zgjodhën që Biljana Angellova të jetë rektore e re e UKM-së

Nga gjithsej 5600 pikë që mund t’i jepnin gjithsej 1419 votues Universitetit “Shën Kiril dhe Metodi” (UKM), prorektorja aktuale Biljana Angellova ka fituar 1958 pikë, që është gati 35 për qind e totalit të elektoratit. Sipas numrit të pikëve, ajo i “ik” kandidates së dytë me 1070 pikë ose deri në 20 për qind, transmeton Portalb.mk.

“Dalja ishte 88.3 për qind, që është pjesëmarrje mjaft e madhe. Kanë votuar 1251 votues, nga gjithsej 1419. Gjithsej 168 fletë votimi janë të pashfrytëzuara dhe 29 janë të pavlefshme. Fitorja e Angellovës është bindëse dhe nuk do të ketë rivotim. Tani faza tjetër është paraqitja e kundërshtimeve. Angellova do të marrë detyrën nga 16 shtatori dhe mandati i saj do të zgjasë deri më 15 shtator 2026”, njoftoi Rodna Zhivkovska, kryetarja e Komisionit Universitar Zgjedhor.

Sipas procesverbalit të rezultateve të votimit të fshehtë, të cilin Komisioni Universitar Zgjedhor e publikoi pasditen e djeshme në faqen e UKM-së, më së shumti vota pas Angellovës ka dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Teknologjive Informative, Dimitar Tashkovski, me 888 pikë, pasuar nga Goran Ajdinski nga Fakulteti Filozofik me 866 pikë. Pas tij është prorektorja aktuale për mësimdhënie, Hristina Spasevska me 784 pikë dhe Atanas Koçov nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike me 643 pikë dhe në vendin e fundit është dekani aktual i Fakultetit Filozofik, Ratko Duev, i cili ka 459 pikë. 

Në vendimin për përcaktimin e kandidatit të përzgjedhur për rektor, thuhet se kandidatët e pakënaqur mund të paraqesin kundërshtim në formë elektronike në [email protected], si dhe në arkivin e UKM-së.

Ndryshe, në programin zhvillimor të UKM në 40 faqe, Angellova shkruan se do të punojë që Universiteti “Shën Cirili dhe Metodi” të jetë i hapur për çdo anëtar të komunitetit akademik dhe të ketë shërbim efikas për njësitë e tij.

Rektorja e re u shpreh se do të avokojë për përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies, për përmirësimin e kushteve të studimit të njësive të universitetit, si dhe për avancimin e veprimtarisë kërkimore-shkencore dhe për përmirësimin e rangimit. Për më tepër, prioriteti i saj është ndërkombëtarizimi përmes rrjetëzimit dhe anëtarësimit në aleancat universitare evropiane dhe promovimi i vlerave evropiane.