Me perlat e jugut dhe poezinë naimjane me vargjet e botës

Shkruan: Sadije Aliti

“E, ku ka si Ti, o Shqipëria ime”! Sa shumë e vërtetë se nuk ka si kjo Shqipëria jonë me bukuritë e pasuritë natyrore që i’a ka falur Perëndia! Atë pikturë të gjallë e të gjatë në rrugën që po gjarpëronte në ato maje malesh e pyjesh që aq bukur u këndoi Naim Frashëri te “Bagëti e Bujqësi”:
O, Malet e Shqipnisë,
e ju o lisat e gjatë,
fushat e gjana me lule,
ç’ju kam ndër mend ditë e natë.”

Edhe më shumë dashurohesh në këto mrekulli natyrore kur i prek nga afër, të magjeps syrin e të ndal frymëmarrjen. Atëherë sikur je e bindur me thellësinë e mendimit për të arsyetuar Naim Frashërin dhe të gjithë letërshkruesit tjerë që aq bukur thurën vargje poezie e kënge, të atyre që ndërtuan personazhe e skica të rrëfimeve të tyre në tregime, novela e romane, apo të atyre të skenareve të filmave.

Krahas asaj bukurie magjepse të natyrës edhe më shumë magjepse është edhe bujaria e pritjes në pragun e shtëpive dhe në sofrën e shtruar të banorëve vendas në vendet e vizituara.

Vargje poezie nga bota e këngë nga zemra

Dashuria për të bukurën dhe krijimin na bashkoi të gjithëve, se me fat isha që u ndodha në këtë itinerar artistik dhe turistik në pjesën jugore të mëmëdheut tim, për të njohur disa nga perlat e tij, pasi mëmëdheu im ka shumë perla, kësaj rradhe përmes vargjeve naimjane. Jam shumë mirënjohëse për momentet unike gjatë aktivitetit turistik e kulturor. Përmeti qyteti i trëndafilave, kulturës e artit, mikprijtes e bujarisë së tryezës shqiptare, patriotizmit e atdhedashurisë mblodhi në mesin e tij poet e artistë nga bota me një titull simbolik “Njohim perlat e jugut përmes vargjeve naimjane”. Vizita monumenteve historike, bukurive natyrore e turistike, verë me shije të ndryshme, këngë valle e mbi të gjitha poezi në gjuhë të ndryshme të botës. Vargje të lexuara në orët letrarë në Përmet, Leskovik dhe Ersekë, që me një mbrëmje madhështore edhe përmbylli punimet ky aktivitet ndërkombëtar me ndarje çmimesh dhe çertifikatash për pjesëmarrje.

Takimi poetik ndërkombëtar u organizua nga Klubi i Poetëve dhe Artistëve “Naim Frashëri” në Përmet me kryetar Ligor Shytin, anëtarët Janaq Jano, Anila Qirjazi Mihali, Kozeta Thanasi Jashari dhe shumë miq të tjerë përmetar. Lista e poetëve përbëhej me poet nga Polonia, Romania, Spanja, Maqedonia e Veriut, Kosova, Greqia, Izraeli dhe Shqipëria. Takimi zgjati nga data 25 deri në 28 korrik realizuar në Përmet, Leskovik dhe Ersekë. Falenderojmë edhe Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, Bshakia e Përmetit dhe Ersekës!

Në tre net vizita në tre qytete

Përmeti priti mes luleve të tij dhe Vjosës së kulluar poetë dhe artistë nga gjithë bota, dhuroi likonë e mrekullueshme të arrës, reçel, dhe i njohu me historinë e tij, me gurin shekullor të qytetit, me kishën e shenjëtores Paraskevi dhe të Shën Nikollit, por mbi të gjitha i tregoi historinë e tij në Qendrën Kulturore të qytetit. Dita e dytë me një mëngjes të bukur na takoi në raftingun e organizuar për të shijuar nga afër bukuritë e rrjedhës së lumit Vjosa, mes Vjosës që vetëm “e egër” nuk ishte me ne poetët e trevave shqiptare dhe jo vetëm dhe duke shijuar kënaqësinë e ujërave termale.

Përmeti, ose siç njihet ndryshe qyteti i trëndafilave, është sa i lashtë aq dhe i ri, që së largu duket sikur përherë mban veshur vellon e nusërisë, djepi i lindjes së fidanishtes së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, e kur përmend vëllezërit e familjen Frashëri, e di se aty është Përmeti. Në antikitet kjo zonë njihej me emrin Trifilia. Sipas legjendës qyteti ka marrë këtë emër nga heroi i kohëve të lashta i quajtur Premt i cili për të mos rënë i gjallë në duart e armiqve u hodh nga “Guri i Qytetit”, një shkëmb në afërsi të qendrës së qytetit.

Qyteti i vogël i Leskovikut bën pjesë në rrethin e Kolonjës. Ky qytet është banuar që nga lashtësia e deri në ditët e sotme. Ka qenë një qytet me zeje nga me të zhvilluarat në vilajetin e Janinës si dhe tregtia ishte e zhvilluar dhe e ushtruar nga fshatarësia. Këtu vlen të përmendet Rrapi i Leskovikut që gjendet pranë qendrës së bashkisë 900 metër mbi nivelin e detit. Përfaqëson një dru të veçuar rrapi me kurorë në trajtën e një kupole, lartësi 18 m, diametër të trungut 140 cm, perimetër 440 cm, ndërsa mosha 300 vjeçare. Ka vlera shkencore, biologjike, arsimore, estetike e turistike.

Erseka është një qytet me një traditë shumë të madhe kulturore, me një qendër të rregulluar për mrekulli ku si në një kuti i kishin të sistemuara ngjarjet kulturore e historike. Këtu duhet përmendur edhe ngjarjen e dhimbshme të banorëve të Borovës. Ky rajon ka magjepsur edhe zonjën Edit Durham, mbretëresha e maleve që ka vizituar këto anë, duke bërë që Evropa të hidhte sytë nga Shqipëria.

Respekt e mirënjohje urojmë që të takohemi në perlat e jugut edhe viteve tjera.