ME GABZHER UJKU…

“Shikohen me gabzherr ujku” është shprehje popullore që përdoret kur dy njerëz urrehen marrëzisht.

Politikanët shikohen “me gabzherr ujku”. Ndodh që tekat individuale i bëjnë agjenda shtetërore dhe kombëtare. Zënkat personale i manifestojnë edhe në media. Pastaj korit të përçarjes i bashkëngjiten boritë partiake.

Politikanët shpesh veprojnë me logjikë turme dhe për interesa të politikës ditore, luajnë me interesat kombëtare dhe shtetërore. Ata edhe popullin e shohin si turmë. Sigmund Graff-i tha se kush dëshiron ta sundojë popullin atë e sheh vetëm si turmë.

Në hapësirën tonë është krijuar hendek i madh ndërmjet elitave politike si pasojë e komunikimit jonormal politik. Elitat politike flasin me diskurs patetik dhe me eufori tifozerie.

Liderët politikë nuk e përfaqësojnë vetëm veten. Ata vijnë dhe shkojnë, por nuk guxojnë t’i prishin disa ekuilibra në planin kombëtar. Ky çekuilibrim shkakton pasoja të rënda dhe afatgjata për kombet dhe shtetet.

Divergjencat që i kanë liderët politikë, nuk guxojnë t’i bëjnë pjesë “debatesh” shterpe dhe pastaj të shohin se kush ka fituar më shumë përkrahje në masë.

Politikanët nuk vlerësohen nga ajo çfarë thonë, por çfarë bëjnë. Shekspiri tha se oratorët nuk janë punëtorë të mirë…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.