Zgjedhjet në BE, po ndodh kthesë e votuesve evropianë kah e djathta, një thirrje për zgjim apo realitet i ri politik?

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal
Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal

Me afrimin e zgjedhjeve në Bashkimin Evropian, anketimet e opinionit publik për zgjedhjet po bëhen gjtihnjë e më të shpeshta dhe gjithnjë e më aktuale. Pavarësisht nga ndryshimet në rezultatet e anketimeve,  në varësi të realizuesve dhe kohës në të cilën janë kryer, parashikimet për tendencat kryesore janë të ngjashme.

Le të fillojmë me konstelacionin aktual në Parlamentin Evropian (PE).

Grafiku i mëposhtëm i tregon ato sipas orientimit të tyre kryesor politik majtas-qendër-djathtas.

Koalicioni i madh qeverisës përbëhet nga Partia Popullore Evropiane, Social Demokratët dhe Rimëkëmbja e  Evropës.

 

RADHITJA AKTUALE E MANDATEVE NË PE SIPAS GRUPEVE TË DEPUTETËVE

Burimi: The European Council on Foreign Relations (ECFR)
Burimi: The European Council on Foreign Relations (ECFR)

Grafiku i dytë tregon mandatet e parashikuara, sipas një prej anketave të fundit, asaj të Këshillit Evropian për Marrëdhëniet të Jashtme (ECFR),  e cila tërhoqi shumë vëmendje te publiku.

 

SIMULIM I NDARJES SË MANDATEVE NË PE SIPAS GRUPEVE TË DEPUTETËVE – ZGJEDHJET E VITIT 2024

Burimi: The European Council on Foreign Relations (ECFR)
Burimi: The European Council on Foreign Relations (ECFR)

 

Duhet pasur parasysh se simulimet janë bërë për numrin e ri të anëtarëve të Parlamentit Evropian, i cili sipas vendimit të Këshillit Evropian nga shtatori 2023 është 720, kundrejt 705 që janë aktualisht.

Autorët e analizave shprehin rezerva në lidhje me parashikimet, për shembull, duke marrë parasysh mundësinë që disa nga partitë kombëtare t’i bashkohen grupeve të tjera parlamentare në Parlamentin Evropian.

Në tabelën në vazhdim janë paraqitur grupet aktuale të deputetëve në Parlamentin Evropian, numri aktual i deputetëve dhe numri i simuluar i deputetëve sipas të njëjtit burim.

Grupet aktuale të deputetëve në Parlamentin Evropian, numri aktual i deputetëve dhe numri i simuluar i deputetëve. Burimi: The European Council on Foreign Relations (ECFR)
Grupet aktuale të deputetëve në Parlamentin Evropian, numri aktual i deputetëve dhe numri i simuluar i deputetëve. Burimi: The European Council on Foreign Relations (ECFR)

Konkluzioni kryesor nga anketat e fundit është se Evropa po kthehet drejt ekstremeve dhe atë drejt të djathtës ekstreme. Partitë që përbënin koalicionin qeverisës deri më tani – ENP, CD dhe Rimëkëmbja e Evropës do të humbnin të gjitha deputetë – më së paku konservatorët, më shumë socialdemokratët dhe më së shumti Rimëkëmbja e Evropës, që më së shpeshti identifikohet me presidentin francez Macron. Edhe të Gjelbërtit janë në rënie.

Partitë e të djathtës ekstreme do të merrnin pothuajse një të katërtën e anëtarëve të Parlamentit Evropian, që do të ishte përfaqësimi më i madh i tyre në këtë dhomë deri më tani.

Megjithatë, vlerësimet janë se kjo nuk do të çonte në ndryshim në koalicionin qeverisës. Edhe pse janë duke u analizuar edhe opsionet për një koalicion të djathtë, kjo shihet si më pak e mundur, për shkak të dallimeve midis Partisë Popullore Evropiane pro-evropiane dhe të djathtës ekstreme, veçanërisht me euroskeptiken Identiteti dhe Demokracia.

Megjithatë, ndryshimi i dukshëm i balancit të pushtetit do të ndikonte fuqishëm në klimën dhe dinamikën e përgjithshme politike, mënyrën e qeverisjes dhe ndërtimin e politikave. Prania e ekstremeve më të mëdha politike do ta bëjë më të vështirë përcaktimin dhe zbatimin e prioriteteve të Bashkimit, përfshirë harmonizimin për reformat e BE-së. Shumica e analistëve pajtohen se do të jetë më e vështirë të harmonizohen pikëpamjet veçanërisht për sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore, mbi politikat e migracionit dhe mjedisit, qasjen ndaj Ukrainës dhe zgjerimit, por edhe pozicionet gjeopolitike në përgjithësi.

Ky artikull është i kufizuar në parashikimet për përbërjen e Parlamentit të ardhshëm Evropian. Megjithatë, një analizë më gjithëpërfshirëse duhet të marrë parasysh ndikimin në rritje të së djathtës ekstreme në nivel kombëtar – veçanërisht në Itali, Holandë, Austri, Suedi, Finlandë, Danimarkë, Francë, Gjermani…

Kanë mbetur më pak se katër muaj deri në zgjedhjet e BE-së, të cilat duhet të mbahen nga data 6-9 qershor të këtij viti. Kjo periudhë është e shkurtër, ndryshimet janë të mundshme, veçanërisht duke pasur parasysh pasigurinë globale, megjithëse tendencat duken mjaft të qëndrueshme gjatë vitit të kaluar. Prandaj paralajmërimet e ekspertëve dhe thirrjet drejtuar partive pro-evropiane për një angazhim më të fortë në çështjet me interes për qytetarët titullohen edhe si “thirrja e fundit për zgjim”.