Më 15 korrik do të hapet Konkursi për pranimin e studentëve në konviktet studentore në Maqedoninë e Veriut

Ministria për Arsim dhe Shkencë prej 15 korrikut deri më 31 korrik do të pranojë aplikime për regjistrimin e studentëve në konviktet studentore. Studentët e vitit të parë do të kenë mundësi më vonë të regjistrohen ,transmeton Portalb.mk.

“Studentët të cilët aplikojnë në Konkurs duhet të  plotësojnë fletëaplikim elektronik dhe t’ia bashkëngjisin dokumentacionin përkatës në internet portalin http://e-uslugi.mon.gov.mk. Studentët mund të konkurrojnë për pranim vetëm për një konvikt studentor. Afati për regjistrimin e studentëve nga viti i II-të e dhe vitet më të larta fillon prej datës 15.07.2024 dhe zgjat deri më 31.07.2024”, raportoi Ministria për Arsim dhe Shkencë.

Studentët e vitit të parë do të kenë mundësi prej 10 shtatorit deri më 17 shtator të aplikojnë në Konkursin për pranimin e studentëve të regjistruar në studime deridiplomike në konviktet studentorë për vitin akademik 2024/2025. Mënyra dhe kushtet për aplikim janë theksuar nw KËTU.

“Nëse pas publikimit të listave përfundimtare me studentët e  pranuar në konvikte, nëse mbeten vende të paplotësuara për akomodim në ndonjë konvikt, aplikimi do të vazhdojë deri në plotësimin e të njëjtave, por më së voni deri më  30.11.2024”, sqaroi Ministria.

Në 11 konvikte pritet të pranohen 4303 studentë, ashtu që 1034 janë për studentët e vitit të parë. Në Shkup do të jenë tre konvikte, dy në Tetovë, tre në Shtip, dhe nga një në Manastir, Ohër dhe Prilep.

Ndryshe, konvikti i studentëve “Stiv Naumov” në Shkup vitin e ardhshëm akademik nuk do të jetë në funksion. Kompleksi do të mbyllet tërësisht deri në rikonstruktimin e tij. “Stiv Naumov” dhe “Kuzman Josifovski – Pitu” do të mbeten të mbyllur edhe për të paktën 18 muaj, që do të thotë se hapja më e hershme e mundshme mund të bëhet në fillim të vitit shkollor 2026/2027.

Rikonstruktimi i shumëpritur i “Stiv Naumov”, si dhe i konvikteve të tjera shtetërore të studentëve parasheh ndërrimin e të gjitha instalimeve elektrike dhe hidraulike, fasada energjetike, sisteme të ngrohjes, dyerve, dritareve, lyerje dhe mobilim.