Mbrëmë në zemër të Tetovës filloi Festivali Ndërkombëtar i Poezisë “Ditët e Naimit”, sonte do të mbahet orë letrare

Mbrëmë në Pallatin e Kulturës në Tetovë, me orën e madhe letrare “Globi Poetik” filloi ediconi i 28-të i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”. Ky edicion u hap përmes një performance fishekzjarrësh para Qendrës së Kulturës, në Tetovë. Më pas drejtori i festivalit Shaip Emërllahu, laureatja rumune Magda Carneci dhe një delegacion nga Komuniteti Bektashian vendosën buqetë lulesh para shtatores së poetit të madh Naim Frashëri. Në hyrje të Qendrës së Kulturës, publikut edhe në këtë hapje i’u dhurua Antologjia me poezi të poetëve pjesëmarrës, si dhe libra të tjerë të botuar nga shtëpia botuese e Festivalit, njofton Portalb.mk.

Më pas, në Sallën e Madhe u bë hapja zyrtare e Programit të Edicionit të 28-të FNP “Ditët e Naimit”, ku hapjen e bëri drejtori i Festivalit Shaip Emërllahu.

Foto nga aktiviteti "Ditët e Naimit", nga drejtoria e festivalit
Foto nga aktiviteti “Ditët e Naimit”, nga drejtoria e festivalit

Drejtori i festivalit Shaip Emërllahu për Portalb.mk  deklaroi se mbrëmë kanë kaluar një atmosferë festive, sepse e bënë hapjen e edicionit të 28-të me radhë të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”. Gjashtëmbëdhjetë poetë para publikut i lexuan krijimet e tyre dhe ato u ndoqën nga qytetarë të shumtë, dashamirë të poezisë dhe të vet festivalit.

“Festivali ka publikun e vet që e përcjellë vazhdimisht, kuptohet, nuk e ka atë dimenzion, ato përmasa që i ka pasur në fillet e para. Por tash duhet kuptuar që ky është festival poetik, dhe se poezia është elitare, dhe nuk mbushen sallat. Shumë pak investohet në letërsi, në poezi dhe natyrisht se ajo nuk arrin ta zë vendin e duhur. Ajo kërkon mbështetje nga institucionet dhe ne presin që të kuptohet më drejt kjo. Të mbështeten institucione të ndryshme të cilat përpiqen që ta afirmojnë letërsinë, librin, e në theks të veçantë poezinë, meqë ne bëjmë pjesë, edhe drejtojmë institucion, një operatorë kulturore që ka të bëjë me poezinë”, tha drejtori i festivalit Shaip Emërllahu.

Në hapje të këtij Edicioni, aktori Arsim Kaleci recitoi poezinë “Fjalët e Qiririt” të Naim Frashërit, ndërsa nga një pikë muzikore me piano dhe në violë ekzekutuan virtuozë të muzikës klasike.

Në orën e madhe letrare ‘Globi poetik’, përveç leximit të poetëve, iu dorëzua edhe çmimi i madh letrar “Naim Frashëri” laureates Magda Carneci, të cilës juria e Festivalit e përbërë nga Fiona Sampson (kryetare), Olimbi Velaj (anëtare) dhe Ndue Ukaj (anëtar), ia ndanë kohë me parë. Gjithashtu, laureates i’u nda edhe titulli i lartë “Anëtar Nderi” i Festivalit.

Sot në ditën e dytë të Programit, u bë përurimi librit me poezi “Shpella e Dantes”, i poetes angleze, Fiona Sampson. Më pas, poetët vizituan monumetet kulturore dhe historike të qytetit të Tetovës dhe në Teqenë Arabati Baba, gjithashtu u zhvillua edhe ora letrare “Poetë dhe vargje”.

Foto nga aktiviteti i ditës së dytë të festivali "Ditët e Naimit", nga drejtoria e festivalit
Foto nga aktiviteti i ditës së dytë të festivali “Ditët e Naimit”, nga drejtoria e festivalit

Ndërkaq, sonte në orën 20.00, në Qendrën për Kulturë dhe Art “Shift Center” do ta mbahet ora letrare “Meridiane poetike”, ku krijimet e tyre do t’i lexojnë poetët pjesëmarrës, si dhe do të ndahen çmimet letrare “Ditët e Naimit”, “Menada”, “Oeneumi”, “Qiriu i Naimit” dhe “Silke/Liria”.