Mbi paragjykimin e “tjetrit”

“Tjetri” është paragjykuar dhe demonizuar që në lashtësi. Demosteni në fjalimet kundër Filipit e shihte mbretin maqedonas si të keqen më të madhe, kurse maqedonasit e lashtë si inferior kundrejt helenëve. Filipi quhej “një askush” dhe nga një vend për të cilin “nuk mund të thuhej diçka të mirë” e “ku më parë njeriu nuk blinte as rob”.

Polarizimi “Ne dhe Ata” është dukuri e përhershme. Gjatë kohë jugu i Europës paraqitej si “sublimi”, “fisniku”, “i qytetëruari”, kurse veriu i Europës si “i ulëti”, “i egri”, “barbari”, “i rrezikshmi”, “armiku”. Perceptimet ndryshonin edhe brenda një zone. Edhe sot ekzistojnë paragjykime etnike te popujt europianë.

Më vonë “barbarët” u zhvendosën në Orient. “Tjetri” sërish ishte “i egër”, “i pistë”, “dembel”, “i prapambetur”.

Intelektuali palestinez Edward Said (1935–2003), veçanërisht në veprën Orientalizmi (1978), shkroi se studiuesit europianë e panë “Tjetrin” nga këndvështrimi i tyre. Qasja eurocentriste, sipas tij, prodhoi imazhe të rrejshme për Lindjen. Termin “orientalizëm” e quajti “sajesë europiane” ose “qasje e dyshimtë intelektuale”, që europianëve u shërbente për ta afirmuar identitetin e tyre duke u distancuar nga një identitet tjetër. Said shkroi edhe për paraqitjen e “Tjetrit” në artin perëndimor. Sipas tij, Eskili te Persët e keqinterpretoi dhe e paragjykoi Orientin. Qasja ku shprehej superioriteti europian kundrejt Lindjes, gjithnjë sipas tij, u vërejt edhe në veprat e Shatobrianit, Lamartinit, Balzakut, Bodlerit etj.

Said-i i kritikoi studiuesit perëndimorë për paraqitje të rrejshme të Lindjes, por edhe u kritikua nga studiuesit perëndimorë se kishte krijuar imazhe të rrejshme për Perëndimin…

Diskursi i sipërpërmendur ishte (dhe është) i shprehur edhe në raport me Europën Juglindore, pra Ballkanin. Me kësi diskursi u shërbyen shumë autorë europianë, por edhe ballkanikë. Ky diskurs hasej në qarqe politike, kulturore, diplomatike e mediatike, ku “Vetja” paraqitej si “superior” dhe “Tjetri” si “inferior”.

Thuhet se europianët perëndimorë ia rikthenin arrogancën Europës Juglindore, ku në lashtësi lulëzoi poetika, filozofia, oratoria, lindi demokracia me agoranë, por edhe flitej me përçmim për pjesën e epërme të Europës. Për helenët e lashtë jugu ishte “i qytetëruar”, kurse veriu “i egër”.

Prejse Europa Juglindore nuk quhej Gadishull Ilirik, por Turqi Europiane ose Ballkan, ajo sikur ishte fshirë nga harta e interesimit të Europës Perëndimore, e cila rajonin e shihte si pjesë të Perandorinë Osmane, qoftë si gjeografi, si kulturë ose si mentalitet. Pasi Europa Juglindore njihej pak, ajo paragjykohej shumë. Ajo ishte “botë ndryshe nga Europa”, “rajon i prapambetur”, “Europë e egër”. Gjeografi gjerman Johann August Zeune shkroi në fillim të shekullit XIX se malet Albanie, Scardus dhe Hemus e ndanin gadishullin e Ballkanit nga pjesa tjetër e Europës.

Paragjykimet për Ballkanin u kundërshtuan nga Maria Todorova me librin Ballkani imagjinar, Mark Mazower-i me librin Ballkani një histori e shkurtër, Bozhidar Jezernik me Europa e egër, por edhe nga autorë të tjerë, të cilët zhvillimet në Ballkan i panë në kontekst më të gjerë historik…

Gjendja në Europën Juglindore mund të ndryshojë duke u nisur nga gjuha. Duhet diskurs i ri dhe pa formulime mbi “superioritetin” e “inferioritetin” etnik. Reduktimi i gjuhës në klishe të gjithëpranuara ndikon në krijimin e vetëdijes që e përjashton inkluziven dhe e pranon vetëm ekskluziven. Gjuha që krijon keqkuptime, mjerisht, haset edhe në tekste shkollore. Aty ka formulime për “ardhacakët” dhe “ndenjëtarët”, për të “qytetëruarit” dhe “të prapambeturit”. Në mjedise të përziera etnike kjo terminologji është e papranueshme. Duhet pasur kujdes të madh në paraqitjen e imazheve etnike, veçanërisht në libra historie.

A mund të mësojmë nga historitë zyrtare ballkanike? Mjerisht historia ende shihet si shkencë “ekskluzivisht kombëtare”. Ajo është e ngarkuar me stereotipa dhe paragjykime etnike. Historia nuk ka për qëllim t’i afirmojë vetëm urrejtjet e së kaluarës, as ta paraqesë një popull në dritën e së mirës, kurse popujt tjerë t’i paraqesë si djaj. Kjo “histori” është armë vdekjeprurëse. Ajo i helmon njerëzit dhe përgatit kasaphanat e ardhshme. Thuhet se për të pasur vizion të ri për të ardhmen duhet vizioni i ri për të kaluarën. Të kaluarën, sado e hidhur të jetë, nuk mund ta ndryshojmë. Nga ajo mund të mësojmë vetëm nëse e pastrojmë nga gënjeshtrat dhe ta pranojmë ashtu siç është. Historitë zyrtare flasin vetëm për luftërat, por i përjashtojnë aktet solidare ndërmjet popujve, sepse nuk janë të leverdishme për elitat populiste.

Popujve të Europës Juglindore u duhet një qasje e re ndaj “Tjetrit”. Pranimi i “Tjetrit” fillon vetëm pasi të gjithë ta flakim arrogancën dhe narcizmin etnik e kulturor. Tani për tani kjo është utopi. Pa ekonomi të zhvilluar, pa sistem të ri vlerash dhe me politikanë populistë, të cilët përfitojnë nga kuazi-patriotizmi, edhe gjatë kohë ky fenomen do të jetë i pranishëm në rajon.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.