Mbi librin e mrekullive të artizaneve shqiptare

Nuk është punë lavdi nëse krenohemi me thesaret e trashëguara nga të parët, ku gjithsesi bëjnë pjesë veshjet popullore, për të cilat është thënë se: vijnë nga lashtësia e largët, si pjesë e manifestimeve të fuqishme kulturore dhe traditave të kombit, që në jetën e sotme dinamike mund të ruhen vetëm nëpërmjet veprave, si “Arti popullor në veshjet shqiptare në Maqedoninë e Veriut”,  e autores Zejna Halimi, që hedh dritë mbi mrekullitë në fjalë dhe pasuron dijen për vlerat e së shkuarës.

Vlerat e veshjeve popullore, tradicionale ose kombëtare, që shprehin identitetin e etnive të ndryshme në periudha të ndryshme kohore, pavarësisht të dhënës se në kohën tonë po shndërrohen në relikte etnografike, vazhdojnë të çmohet gjithandej globit nga njerëzit e dijes dhe adhuruesit e të bukurës.

Po përmend me këtë rast Enciklopedinë e gjallë shqiptare, Faik Konicën, i cili qe marrëzisht i dashuruar në veshjet kombëtare, që nganjëherë i vishte në manifestime të ndryshme kulturore. Në vitin 1909, i veshur me  fustanellë, ai udhëtoi në Boston të SHBA-së, i bindur se kjo do të tërhiqte vëmendjen dhe kershërinë e amerikanëve, që kur do ta pyesnin kush është dhe nga vjen, do t’ia jepnin rastin për të folur për Shqipërinë dhe Shqiptarët, duke bërë kësisoj propagandë kombëtare.

Se bukuria dhe madhështia e veshjeve tona kombëtare është e veçantë, dëshmojnë dhe personalitete të jetës politike e kulturore të botës, të cilët patën fatin t’na njohin nga afër dhe shfrytëzuan rastin e dhënë për t’u fotografuar me kostume shqiptare. Po përmendim këtu emrat e më të shquarve prej tyre, si: etnografja, shkrimtarja dher antropologja angleze, Edit Durham, të cilës beratasit i dhuruan një jelek me qëndisma ari, që u ekspozua disa herë në galeritë e famshme londineze; historiani hungarez, Ludvig Taloçi; historiani kroat, Millan Shuflai; albanologët austriakë, Maksimilian Lamberci dhe Teodor Anton Ipeni; studiuesja amerikane, Blanshe Pajone; romancieri gjerman me origjinë hebraike, Jozef Roti; studiuesja norvegjeze e antropologjisë shqiptare, Berit Bekeri; albanologu kanadez me origjinë gjermane, Robert Elsi, që shkroi një duzinë veprash për çështjen shqiptare; albanologu hungarez, Franc Nopça dhe babai i romantizmit anglez, Xhorxh Gordon Bajroni – autori i poemës monumentale “Shtegtimet e çajld Harold,”, në të cilën njëri prej motiveve kryesore ka të bëjë me fustanellat dhe kostumet shqiptare:

Përcjellësit ia nisën këngës tyre,
Çdonjëri e flaku tutje shpatën
Kërcyen dorëpërdorë njëri pas tjetrit
Me këngë e vajtim u drodhën fustanellat…

Bajroni madje edhe dallimet e shqiptarëvë të krahinave të ndryshme i bënte nëpërmjet kostumeve popullore.
Këto të dhëna i përmenda për të spikatur peshën e veçantë dhe rëndësinë e veprës së Zejna Halimit, që mëton të dokumentojë madhështinë e veshjeve të nduarnduarshme popullore të krahinave shqiptare, për të cilat Konica thoshte: “Shqiptarët janë tepër individualistë, aq sa nuk mund të kenë një veshje uniformë. Në fakt ka aq kostume shqiptare, sa ka edhe krahina të ndryshme në Shqipëri…”

Në 8 kapitujt e veprës së saj, zonja Halimi flet për vlerat e veshjeve popullore, për lashtësinë, laryshinë, ngjashmëritë, dallimet dhe karakteristikat e veçanta të tyre në disa krahinave, për rëndësinë që kanë pasur në të shkuarën dhe rëndësinë që kanë sot, materialet e përdorura, mënyrat e përgatitjes, mënyrat e qepjes së veshjeve dhe shkathtësitë e artizaneve të talentuara, që ua përcillnin mjeshtërinë bijave dhe mbesave, që në moshë të re.

Autorja nuk lë pa përmendur faktin se, në dallim nga veshjet e grave, veshjet e burrave janë pothuajse të njëta në të gjitha krahinat shqiptare në RMV. Megjithatë, kjo nuk përjashton burrat si subjekt krijues të këtyre thesareve, sado që ata vetëm me ndihmën e grave, që tjerrnin dhe endnin në tezgjahë, siguronin stofrat për terzinjtë që qepnin tirqit me gajtanë, xhamadanët me sumbulla, lurkat dhe disa veshje tjera burrash.

Duhet cekur se, përveç përkushtimit profesional, librin në fjalë e bëjnë të veçantë e të këndshëm edhe tiparet tjera, si: gjuha korrekte, e thjeshtë dhe e kuptueshme; dizajni me shije i kopertinave dhe brendësisë, cilësia e letrës, ilustrimet me fotografi mbresëlënëse dhe përkthimi në gjuhën angleze i faqeve të shkruara, që, pa dyshim, do ta bëjnë librin të kërkueshëm nga lexuesit.

Sqarimet koncize të autores për çdo detaj të veshjeve dhe ilustrimet e zgjedhura me shumë shije hedhin vetvetishëm dritë mbi urtësinë, imagjinatën dhe shpirtin kreativ të gruas shqiptare – mjeshtres së madhe të trashëgimisë së paçmueshme, heroinës që krijoi dhe mbajti gjallë pjesët më monumentale të traditave tona, përkundër jetës së vështirë që bëri ndër shekujt që s’mbahen mend. Mos të harrojmë se gratë janë dhe autoret e perlave folklorike – ninullave, këngëve të dasmës dhe vajtimeve, që lidhen me tri ngjarjet kryesore të jetës së njeriut: lindjen, martesën dhe ikjen tonë nga kjo botë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.