Mbi 7 miliardë denarë janë kthyer te qytetarët përmes aplikacionit “TVSH-ja ime”

Drejtoria për të Ardhura Publike (DAP) ka raportuar që vetëm për tremujorin e dytë në Maqedoninë e Veriut janë kthyer 707 milionë denarë te qytetarët përmes aplikacionit “TVSH-ja ime”, transmeton Portalb.mk.

“Ditët në vijim do të kryhen pagesat te shfrytëzuesit e aplikacionit që kanë kryer ndryshime në xhirollogarinë e tyre”, njoftoi Drejtoria, duke theksuar që për të tjerët është kryer pagesa.

Vetëm në tremujorin e dytë janë shtuar 13 402 qytetarë si shfrytëzues të rinj të aplikacionit.

“Mbi 530 mijë qytetarë në muajin prill, maj dhe qershor kanë skanuar 86.9 milionë llogari fiskale me një qarkullim prej 54.2 miliardë denarë”, sqaroi Drejtoria, duke theksuar që deri më tani janë kthyer gjithsej 7 miliardë denar, ndërsa zbatimi i projektit ka filluar më 1 qershor të vitit 2019.