Mbi 630 mijë udhëtarë e kanë shfrytëzuar transportin ajror në Maqedoninë e Veriut për tre muaj

Në tremujorin e parë të këtij viti, transportin ajror e kanë shfrytëzuar 631 180 udhëtarë në Maqedoninë e Veriut, duke shënuar ulje të numrit në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, transmeton Portalb.mk.

“Në tremujorin e parë të vitit 2025, në transportin rrugor të udhëtarëve numri i udhëtarëve të transportuar është 962 000, në transportin urban-periferik 8 882 000, në transportin hekurudhor 61 000, ndërsa numri i udhëtarëve të transportuar në transportin ajror është 631 180”, raportoi Enti Shtetëror i Statistikave.

Krahasuar me tremujorin e kaluar, transporti i udhëtarëve te transporti hekurudhor ka shënuar rritje për 45.4 përqind, ndërsa te transporti ajror është ulur për 1.4 përqind. Në të gjitha llojet e transportit është regjistruar rënie e sasisë së mallrave të transportuar.

“Në tremujorin e parë të vitit 2025, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2024, sasia e mallrave të transportuara në transportin rrugor të mallrave është  zvogëluar për 12.0%, në transportin hekurudhor është zvogëluar për 21.9%, ndërsa në transportin ajror është zvogëluar për 1.6%”, raporton Enti.