Ndihma financiare për nxënësit e RMV-së, nuk dihet kush dhe kur është paguar nga MASh

Tre shkolla në Maqedoninë e Veriut thonë se nuk kanë asnjë informatë për atë se a janë nxënësit e tyre në listën e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASh) për të marrë paratë nga masa antikrizë për mbështetjen e nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme, familjet e të cilëve kanë të ardhura totale mujore prej neto pagave deri në 50.000 denarë. Prindërit dhe nxënësit duke e shprehur shqetësimin lidhur me statusin e aplikimeve të tyre për kompensimet e kësaj mase, thonë se nuk kanë marrë asnjë denarë deri më tani. Nga ana tjetër, nga MASh thonë se pagesa e kompensimeve në të holla veçmë ka filluar nga dita e hënë dhe se shkollat janë të informuara, shkruan Portalb.mk.

Erion Ismaili, nxënës i shkollës se mesme komunale “Ismet Jashari“, nga Komuna e Likovës thotë se ende nuk është njoftuar me rezultatet finale të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për kompensimet në të holla, në bazë të masës antikrizë. Erioni vë në dukje se njeh edhe dhjetëra nxënës të cilët po ashtu kanë aplikuar dhe nuk kanë marrë asnjë denar apo edhe informatë në lidhje me aplikimet e bëra.

Erion Ismaili, nxënës i shkollës se mesme “Ismet Jashari”, Komuna e Likovës. Fotografia marrë nga nga facebook-u i tij personal.

“Brenga jonë kryesore nuk lidhet me procesin e aplikimit, por me rezultatet. Nuk jemi njoftuar për rezultatet dhe as nuk na janë lëshuar mjetet e premtuara”, thotë ai.

Erioni tha se gjatë aplikimit nuk ka hasur në asnjë problem dhe se procesi i aplikimit ka qenë i lehtë.

“Nuk ka pasur probleme. Mënyra e aplikimit nuk ishte shumë e ndërlikuar, pasi na kanë ndihmuar edhe kujdestarët e klasave. Procedura kërkonte që prindërit tanë të plotësonin dokumentacionin si dhe ne ti dorëzonim të gjitha dokumentet në shkollë, dhe më pas shkolla i dorëzonte ato në Ministrinë e Arsimit”, thotë ai për Portalb.mk.

Përveç tij edhe Erza Bilalli, një tjetër nxënëse nga Komuna e Tetovës për Portalb.mk thotë se ka aplikuar për këtë mbështetje financiare, por as prindërit e saj nuk kanë marrë ndonjë denarë apo dhe informatë nëse është pranuar kërkesa ose jo.

“Ditën e dielë e pash njoftimin e Ministrisë së Arsimit se do të fillojë me pagesën e kompensimeve në të holla në bazë të kësaj. Unë dhe shumë nxënës të shkollave të mesme që i njohë nuk kemi pranuar asnjë denarë deri tani. Nuk kemi marrë asnjë informacion nga Ministria e Arsimit apo nga shkollat tona për statusin e këtyre kompensimeve. Kërkojmë të na informojë se çfarë po ndodh me këto kompensime dhe kur mund të presim të marrim mbështetjen financiare të premtuar”, thotë Erza.

Nga ana tjetër, ka prindër që kanë marrë para vetëm për muajt dhjetor dhe janar, por jo edhe për muajt tjerë.

Sabri Ramadani nga Komuna e Çairit, i cili ka aplikuar për këtë masë për dy fëmijët e tij thotë për Portalb.mk se vetëm për dy muaj ka marrë të holla.

“Kam aplikuar vetëm njëherë. Kam dërguar vërtetim se fëmijët i kam në shkollë, si dhe vërtetim se të ardhurat e mija totale mujore nuk kalojnë mbi 50 mijë denarë. Vetëm për dy muaj kam të marrë të holla, gjegjësishtë 2400 denarë për të dy fëmijët, pastaj nuk kam pranuar asnjë denarë”, thotë Sabri Ramadani.

Ramadani thotë se të vetmen informatë që e ka marrë, ka qenë nga shkolla ku edhe i ka dorëzuar dokumentet përkatëse.

Nga MASh thanë se për nxënësit e diskualifikuar “janë njoftuar shkollat përkatëse”.

Por, edhe drejtori i Gjimnazit të Tetovës,”Kiril Pejçinoviq”​, Jeton Kamberi, e përgënjeshtroi Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës duke thënë se nuk kanë pranuar asnjë informatë për këtë proces.

“Me Minsitrinë e Arsimit dhe Shkencës, në lidhje me masën antikrizë që ka të bëjë për mbështetjen e familjeve të nxënësve, kemi qenë në kontakt vetëm gjatë procesit të aplikimeve, pasi kishte nxënës të cilët të dhënat e transaksioneve i kishin shënuar gabim, dhe nuk jua mundësonte sistemi, dhe për këtë kishim informacioneve kthyese nga ministria. Së fundmi, këto ditë kishim edhe disa ankesa nga disa prindër në lidhje me këtë problematikë, pasi ishin njoftuar nëpërmjet lajmeve se kompensimet në të holla kanë filluar, ndërkohë nuk kishin informacion se ai gëzojnë këto ndihma ose jo”, thotë Kamberi.

Në një vijë me drejtorin e Gjimnazit të Tetovës, është edhe drejtori Isni Aliji në shkollën mesme “Ismet Jashari” në Likovë, i cili thotë se shkolla e tij ka qenë në dialog të vazhdueshëm me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës vetëm gjatë periudhës së përgatitjes së dokumentacioneve të nevojshme për të zgjidhur çështjet e nxënësve me të dhëna të gabuara.

“Pas kësaj, nuk është se kemi marrë informacione në lidhje me atë se kush është pranuar e kush jo”, u shpreh Aliji.

MASh: Bëhet fjalë për 100 mijë nxënës që duhet të marrin kompensim prej 1200 ose 1800 denarëve

Nga Minsitria e Arsimit dhe Shkencës përpos asaj që thonë se shkollat janë njoftuar, shtuan se ministrja e re në detyrë, Vesna Janevska, i ka obliguar të gjithë sektorët kompetent që të bëjnë një pasqyrë tabelare të detajuar të detyrimeve financiare të parealizuara për çdo nxënës, familjet e të cilëve i plotësojnë kushtet dhe që kanë parashtruar kërkesë për realizimin e kësaj të drejte.

“Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, në ditën e parë të punës së mandatit, ka ngarkuar drejtoritë kompetente që të bëjnë një shqyrtim të detajuar të obligimeve financiare të parealizuara për secilin nxënës, familja e të cilit i plotëson kushtet dhe ka paraqitur kërkesë për ushtrimin e kësaj të drejte. Në bazë të raportit të dorëzuar është bërë plani me dinamikë pagesash që ka nisur nga dita e hënë”, thonë për Portalb.mk nga MASh.

Nga atje thanë se bëhet fjalë për 100 mijë nxënës, të shkollave fillore dhe të mesme, të cilët për 6 muaj duhet të marrin kompensim prej 1200 denarëve, ose prej 1800 denarëve në muaj, varësisht se cilës kategori i përkasin.

“Në bazë të raportit të dorëzuar, është realizuar plan me dinamikë të pagesës e cila ka filluar që nga dita e hënë. Deri më tani janë paguar vetëm tarifat e dhjetorit 2023 dhe janarit 2024. Pagesat e mbetura për 4 muaj do të realizohen me faza”, njoftuan nga MASH.

Të pyetur edhe njëherë nga Portalb.mk sesi do të realizohen këto faza, kush do të ketë përparësi, si dhe pse nuk janë informuar ata nxënës që ju është refuzuar kërkesa, nga MASh nuk dhanë detaje.

Ndryshe, mbështetja financiare për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, vlen për ato familje të cilët kanë të ardhura totale mujore nën 50 mijë denarë. MASh në faqen zyrtare ka sqaruar se sipas detyrës zyrtare, ka të drejtë të kontrollojë besueshmërinë e të dhënave që shkollat ​​do t’i dorëzojnë Ministrisë. Megjithatë, nga atje nuk kanë sqaruar se si dhe në çfarë mënyre do t’i njoftojë shkollat dhe familjet përkatëse të cilat kanë aplikuar.

Kujtojmë se mbështetja antikrizë ishte premtuar nga ish-ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri. Ishte paraparë që nga dhjetori i vitit të kaluar deri në maj të këtij viti, prindërit me të ardhura të ulëta të përfitonin çdo muaj nga 20 euro, por nuk u realizua. Në buxhetin e Ministrisë së Arsimit për masat kundër krizës nga pakoja e nëntë e ish-Qeverisë, u tha se janë siguruar 843 milionë denarë për nxënës dhe studentë.