Mark Rutte pritet të jetë sekretar i ardhshëm i NATO-s pas tërheqjes së rivalit të tij Klaus Iohannis

Klaus Iohannis, presidenti rumun, është tërhequr nga gara për t’u bërë sekretari i ardhshëm i përgjithshëm i NATO-s, duke i hapur rrugën kryeministrit holandez Mark Rutte – i konsideruar prej kohësh kryesuesi për këtë detyrë – për të marrë zyrtarisht postin, shkruan The Guardian.

Lëvizja erdhi pasi kryeministri i Hungarisë, Viktor Orbán, hoqi dorë nga kundërshtimi i tij ndaj kandidaturës së Rutte.

Mark Rutte u zgjodh si kandidat kompromisi për postin kryesor të NATO-s, gjë që kërkon marrëveshje unanime të 32 anëtarëve të aleancës mbrojtëse.

Ai u zgjodh kryesisht sepse shihet si një politikan me përvojë në skenën ndërkombëtare, i cili është shumë pro-ukrainas, por jo aq i ashpër sa kandidatët e mundshëm nga krahu lindor i aleancës.

Por ai u përball me disa pengesa, duke përfshirë kundërshtimin fillestar nga kryeministri i Hungarisë, Viktor Orbán, dhe një kandidaturë rivale nga presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis.

Rutte, qeveria e të cilit kishte qenë një zë që mbrojti respektimin e normave të sundimit të ligjit në BE, u takua me Orban në margjinat e një darke të liderëve të BE-së në fillim të kësaj jave.

Pas takimit, Orbán hoqi dorë nga kundërshtimet e tij – në këmbim të garancive me shkrim nga udhëheqësi holandez.

Duke shpjeguar vendimin e tij, Orbán shkroi:

Arritëm një marrëveshje të rëndësishme me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. Ne ramë dakord që asnjë personel hungarez nuk do të marrë pjesë në aktivitetet e NATO-s në Ukrainë dhe asnjë fond hungarez nuk do të përdoret për t’i mbështetur ata.

Hapi ynë i ardhshëm këtë javë ishte të sigurohemi që kjo marrëveshje t’i rezistojë kohës. Pas takimit të djeshëm në Bruksel, kryeministri Mark Rutte konfirmoi se ai e mbështet plotësisht këtë marrëveshje dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë, nëse do të bëhet Sekretari i Përgjithshëm i ardhshëm i NATO-s.

Në dritën e premtimit të tij, Hungaria është e gatshme të mbështesë ofertën e kryeministrit Rutte për Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s.