Maqedonia ende nuk i ka kthyer 2.2 milionë eurot e keqpërdoruara përmes programit “Erasmus Plus”

Agjencia Kombëtare për Programet Arsimore Evropiane dhe Lëvizshmërisë ende nuk i ka kthyer 2.2 milionë euro, fonde nga programi “Erasmus Plus”, të cilat Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit Ekonomik (OLAF) kërkoi të kthehen në arkë, sepse ishin keqpërdorur në periudhën nga viti 2016 deri në vitin 2018.

Drejtori i Agjencisë Kombëtare, Marko Gjorgievski, për “Slloboden Peçat” tha se pritet formimi i qeverisë së re, ndërsa pagesa nuk do të bëhet gjatë periudhës së qeverisë teknike. Ai siguron se kërkesa për kthimin e 2.2 milionë eurove nuk do të ndikojë në reduktimin e mjeteve për “Erasmus Plus” për vitin e ardhshëm.

Këtë e  konfirmoi  edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në vend, David Geer, i cili theksoi se pret që Agjencia Kombëtare t’i zbatojë rekomandimet e dhëna nga OLAF për “Erasmus Plus”. Megjithatë, kthimi i 2.2 milionë eurove të mjeteve nga buxheti i shtetit sërish do ndikojë tek qytetarët, të cilët në vend që të marrin shërbime nga buxheti, do të paguajnë për abuzimet.

“Në përputhje me procedurat standarde ne nuk komentojmë për vendimet e marra nga OLAF. Ky është organi i Bashkimit Evropian për hetimin e mashtrimeve. Presim që Agjencia Kombëtare për “Erasmus Plus” në Maqedoni t’i përmbushë të gjitha rekomandimet e dhëna nga OLAF. Ne vazhdojmë të kemi besim në punën e Agjencisë për “Erasmus Plus”, që do të thotë se jemi të bindur se buxheti i ndarë për “Erasmus Plus” nuk do të reduktohet. Programi do të mbetet një përfitim nga i cili do të përfitojnë nxënësit, studentët, të rinjtë dhe universitetet”, tha pak kohë më parë ambasadori evropian Geer.

Skandali shpërtheu kur Drejtoria e Përgjithshme e Komisionit Evropian për Arsim, Rini, Sport dhe Kulturë, në pajtim me raportin e OLAF, më 30 nëntor të vitit 2023 i dërgoi një njoftim me e-mail Agjencisë Kombëtare për Programet Arsimore Evropiane dhe Lëvizshmërinë në Maqedoninë e Veriut me një kërkesë për kthim të parave. Në muajin mars Agjencia pranoi një njoftim edhe se vendimi është përfundimtar.

Në vendin tonë Prokuroria Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit është duke zhvilluar parahetime për këto para, pas kallëzimit penal të dorëzuar nga ish-drejtoresha e Agjencisë, Lidija Dimova, kundër njëzet personave fizikë dhe juridikë, me pretendimin se kanë formuar një rrjet me qëllim që paratë nga “Erasmus Plus” të përfundojnë vetëm tek dy persona juridikë. Media “Nota” bëri të ditur se i akuzuari i parë në kallëzimin penal të Dimovas ende merr para nga Agjencia përmes programit “Erasmus Plus”.

“Fillova të hulumtoj. Menjëherë e kuptova se të gjithë nga Maqedonia kanë shkuar në 5 vende në Evropë. Kjo ishte shumë e çuditshme. Kur pashë që një pjesë e madhe e parave shkonte në të njëjtat vende, në “vëllazërimin dhe bashkimin”, atëherë raportova në Bruksel. Filluam të bënim kontrolle në Bullgari në hotelet ku mbaheshin aktivitetet. Konstatuam abuzim të dyfishtë. Për shembull, në të njëjtin hotel zhvillohen njëkohësisht 3-4 evente Erasmus, njëri i financuar nga Agjencia Kombëtare e Maqedonisë, tjetri nga ajo bullgare. Për të njëjtin event janë tërhequr para nga dy agjenci kombëtare. Kuptuam se 70 përqind e buxhetit të përgjithshëm të Maqedonisë derdhet në vetëm dy organizata. Në vetë kallëzimin penal ka 23 persona, shkolla, fakultete, por mashtrimi kryesor konsiston në faktin se për të gjitha këto subjekte projektet i shkruajnë dy kompani, ato miratohen nga Agjencia Kombëtare nëpërmjet vlerësuesve të tyre, kështu që paratë shkonin për shkollat, të cilat nga ana tjetër, këto para në prokurimet publike i kanë ndarë në tërësi, deri në denarin e fundit, për këto dy kompani. Praktikisht, në vend që paratë të përfundonin në shkollë, ato kanë përfunduar tek këta dy operatorë ekonomikë”, tha Dimova.  

Ndërkohë Agjencia Kombëtare ka dërguar kërkesë edhe pranë Drejtorisë së Policisë Financiare në Ministrinë e Financave për informacion në lidhje me kontrollet e kryera nga OLAF.

“Nga atje na njoftuan se në Drejtorinë e Policisë Financiare ka arritur një raport nga OLAF dhe se i njëjti i është dorëzuar prokurorit kompetent nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Në muajin mars Agjencia Kombëtare pranoi një njoftim për përfundimin e vendimit për kthimin e mjeteve për luftimin e mashtrimit nga Drejtoria e Përgjithshme për Arsim, Rini, Sport dhe Kulturë sipas raportit të OLAF-it”, tha drejtori Gjorgievski.

Nga hetimi i kryer nga Komisioni Evropian Kundër Mashtrimit (OLAF) u konstatua se në periudhën 2016-2018, 22 përfitues  nga RMV-ja kanë keqpërdorur paratë nga grantet evropiane të ndara përmes programit Erasmus +, kështu OLAF kërkoi që RMV-ja t’i kthejë 2.2 milionë euro.

Në këtë rast është e përfshirë ish drejtoresha e Agjencisë për Programe Arsimore dhe Mobilitet, Lidija Dimova, pasi Agjencia kishte ndarë grante nga programi “Erasmus 2” në vlerë prej 270 mijë euro për një parukieri. Procesi gjyqësor në Gjykatën Penale kundër Dimovës filloi më 2 shkurt 2023.