Maqedonia e Veriut me kampion të ri futbolli në Ligën e Parë
Me zhvillimin e ndeshjeve të parafundit, u caktua kampioni i ri në Ligën e Parë në futbollin e Maqedonisë së Veriut. Me fitoren e sotme, KF Vardari arriti të siguron pikët e nevojshme për kampion, transmeton Portalb.mk.
Në Strugë, vendasit humbën nga KF Vardari. Fitorja minimale prej 0:1 i mundësoi KF Vardarit pikë të nevojshme për kampion. Me gjashtë pikë diferencë prej Shkëndijës, KF Vardari në xhiron e parafundit u shpall kampion.
Shkëndija ndërkohë ka fituar në Tetovë kundër AP Brerës me rezultat 2:1. Me këtë fitore, Shkëndija u betonua në vendin e dytë. Ata shpresën për fitoren e një trofeu e kanë në finalen e Kupës kundër Sileksit, ekip i cili sot humbi kundër Arsimit, 0:1.
Nesër duke filluar prej orës 16:00 do të zhvillohen tre ndeshjet e fundit e javës XXXII-të: Bashkimi kundër Makedonija Gj.P., Tikveshi kundër Pelisterit dhe Shkupi kundër Rabotniçkit.
Ndryshe, ndeshja finale e Kupës së Maqedonisë së Veriut do të luhet në Arenën Nacionale “Todor Proeski” në Shkup. Ndeshja do të luhet më 20 maj. Në finale do të përballet Shkëndija e Tetovës me Sileksin e Kratovës. Ndeshja do të fillojë prej orës 20:00.
Kampion i Ligës së Parë në sezonin 2024/25 u shpall Shkëndija e Tetovës, ndërsa Vardari fitues i Kupës së Maqedonisë së Veriut në vitin 2025.
Në sezonin 2025/26 në Ligën e Parë luajnë Shkëndija, Struga, Shkupi, Bashkimi dhe Arsimi që u kualifikua në Ligën e Parë për herë të parë.