Maqedonia e Veriut ka humbje më të madhe të ujit në rajon, në nivel shtetëror është 63 përqind

Maqedonia e Veriut në rajon është një nga vendet me humbjet më të mëdha të ujit dhe është rreth 63 përqind në nivel të gjithë vendit, thotë kryetari i Komisionit Rregullatot për Energjetikë (KRRE), Marko Bislimoski. Ai thotë se humbjet e mëdha të ujit janë para së gjithash për shkak të numrit të madh të improvizimeve në këtë sektor, por edhe mungesës së investimeve në infrastrukturë dhe përmirësimit të saj, transmeton Portalb.mk.

“Ne si KRRE kemi thënë në disa raste se nuk ikim nga ajo përgjegjësi dhe jemi të gatshëm të përcaktojmë çmimin përfundimtar për të gjitha shërbimet e ujit. Duke marrë parasysh përvojën tonë, garantojmë se do të përmirësojmë efikasitetin e kompanive, do të mundësojmë një numër më të madh investimesh dhe për këtë do të ulim humbjet e ujit në nivel shtetëror dhe nuk do të shkaktojmë asnjë tronditje të çmimeve”, tha sot Bislimoski duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.

Duke ulur humbjet, shton ai, do të rriten sasitë që do të faturohen dhe kështu nuk do të ketë nevojë për rritje të çmimit për shërbimet e ujit.

Bislimoski thotë se është thelbësore të sigurohet një çmim që do të mundësojë zhvillimin e ndërmarrjeve, që ai të jetë i disponueshëm dhe i pranueshëm për shfrytëzuesit e fundit dhe se rregullatori merr përgjegjësinë e plotë në formimin e çmimit përfundimtar.

“Për vite kemi insistuar që të marrim plotësisht përgjegjësinë për vendosjen e tarifave realiste dhe nxitëse për investime. Me burimet natyrore, si uji, nuk duhet të lejojmë lojëra alibish. Në këtë moment, KRRE përcakton vetëm një sërë tarifash – nga minimumi në maksimum, dhe këshillat e pushtetit vendor zakonisht vendosin për çmimin më të ulët, pra një tarifë që siguron një prag minimal përfitimi me investime të vogla, ndërkohë që rrjeti nuk rinovohet, ndërsa punësimet shtohen”, shtoi Bislimoski.

Sipas tij, është i nevojshëm një cikël i vazhdueshëm investimi në infrastrukturë, si dhe optimizimi i numrit të të punësuarve në ndërmarrjet publike, ndërsa në të njëjtën kohë, shton ai, është thelbësore të sigurohet një çmim që do të mundësojë zhvillimin e kompanive dhe në të njëjtën kohë të jenë të përballueshme dhe të pranueshme për përdoruesit fundorë.

“Si rregullator, ne shohim një zgjidhje duke marrë autoritet të plotë në përcaktimin e çmimit përfundimtar”, konsideron Bislimoski.

Kujtojmë se kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë (KRRE), dje njoftoi se gjatë javës së ardhshme, pas tenderit të EVN Home për blerjen e energjisë elektrike, pasi të jenë në dispozicion të gjithë parametrat, do të ketë informacione më konkrete për çmimin e ri të energjisë elektrike që duhet të vlejë nga 1 korriku i këtij viti.