Maqedonia e Veriut e shënon 11 Tetorin, Ditën e Kryengritjes Popullore Kundër Fashizmit

Në Maqedoninë e Veriut sot shënohet 11 Tetori, Dita e Kryengritjes Popullore, kur populli i vendit u ngrit në kryengritje të armatosur kundër fashizmit në vitin 1941, raporton Portalb.mk.

Presidentja e vendit Gordana Silajnovska Davkova tha se 11 tetori është momenti historik që përcaktoi të tashmen dhe të ardhmen tonë, dita kur u bashkuam me guxim dhe vendosmëri në koalicionin antifashist të popujve liridashës.

“Ju ftoj që të kapërcejmë ndarjet e ndërsjella dhe të bashkohemi në luftën e përbashkët për një shtet të begatë evropian dhe për një shoqëri të drejtë maqedonase”, uroi presidentja.

Kryeministri Hristijan Mickoski tha se këtë vit përkujtojmë 83 vjet sfidë dhe dëshirë për një Maqedoni të lirë.

“Vetëm së bashku me unitet maqedonas, shqiptarë, turq, romë, serb, vllehë, boshnjakë mund të ndërtojmë një të ardhme dhe prosperitet. Vazhdojmë  me përkushtim të ecim në rrugën e luftës për krijimin e shtetit të qytetarëve të lumtur dhe të kënaqur”, uroi kryeministri.

Presidentja Gordana Siljanovska Davkova do të mbajë fjalim në Akademinë Solemne e cila do të mbahet nën kujdesin e saj në Muzeun e Luftës së Maqedonisë për Pavarësi.

Me rastin e kësaj dite, delegacionet nga Kuvendi dhe Qeveria do të vendosin lule në Shkup, Prilep dhe Kumanovë.

Në Kuvend gjithashtu do të ndahet çmimi shtetëror “11 Tetori” për vitin 2024.

Çmimi për vepër jetësore në fushën e kulturës dhe artit do t’i jepet Lupço Karov, artist multimedial; Vlladimir Temkov, piktor akademik dhe Jovica Mihajllovski, aktor dhe producent i dramës; ndërsa në fushën e shkencës – prof. dr. Marko Kitevski, studiues i folklorit maqedonas.

Për shkak të kësaj feste, 11 tetori është ditë jopune në Maqedoninë e Veriut.

Ndërmarrja e Transportit Publik në Shkup njoftoi me rastin e kësaj feste, gjatë tre ditëve të fundjavës së zgjatur (11.10.2024 – 13.10.2024) autobusët e transportit publik do të qarkullojnë sipas orarit javor.