Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do të rigjallërojnë pyjet për të siguruar mbijetesën e Rrëqebullit të Ballkanit

Gjatë dy dekadave të shkuara, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë pësuar humbjen e sipërfaqes totale të drurëve me 5.5 % dhe 6.5 % secila, sipas Global Forest Watch. Këto trende alarmante shtrihen edhe në rajonet e pasura në biodiversitetit, duke përfshire habitatet kritike për mbijetesën e Rrëqebullit të Ballkanit, i rrezikuar në mënyrë kritike, si dhe në korridoret ekologjike jetike për jetën e egër që lidhin zona pyjore kombëtare dhe ndërkufitare, raporton Portalb.mk.

Pasojat e ndryshimeve klimatike kanë intensifikuar gjithashtu dëmtimet nga zjarret në të gjithë rajonin, duke çuar në zvogëlimin e larmisë dhe elasticitetit të ekosistemeve pyjore, duke i bërë ato më të ndjeshme ndaj dëmtuesve dhe sëmundjeve.

Restaurimi, mbrojtja dhe ruajtja e pyjeve në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut, dy vitet e ardhshme do të bëhet nëpërmjet projektit “Iniciativa e Pyjeve Veriore: Rigjenerimi i Pyjeve në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri” në bashkëpunim të Zyrës Rajonale të IUCN për Evropën Lindore dhe Azinë Qëndrore (IUCN ECARO) me Shoqatën Ekologjike të Maqedonisë (MES) dhe Qendrës për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (MMNSH), me mbështetjen e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Urban të Republikës së Maqedonisë të Veriut.  Ky projekt është i financuar nga nga Fondacioni Suedez “Postcode”.

Aktivitetet janë njoftuar dje në Parkun Kombëtar të Mavrovës me prezencën e Ministres së Mjedisit dhe Planifikimit Fizik, Kaja Shukova dhe Boris Erg, Drejtori i Zyrës Rajonale Evropiane të IUCN-së.

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Kaja Shukova tha se revitalizimi i pyjeve në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri është me rëndësi edhe për përmbushjen e synimeve evropiane nga Strategjia BE-së për Pyjet deri në vitin 2030.

“Revitalizimi i pyjeve në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri është i rëndësishëm për vendet tona, por edhe për përmbushjen e synimeve evropiane nga Strategjia BE-së për Pyjet deri në vitin 2030, sepse ekosistemet natyrore nuk njohin kufij dhe kërkojnë menaxhim të harmonizuar dhe të qëndrueshëm. Ne përpiqemi për mbrojtjen e tyre, por në të njëjtën kohë mbështesim edhe funksionin e tyre social-ekonomik për të siguruar prosperitetin e zonave rurale dhe për të nxitur një bio-ekonomi të qëndrueshme të bazuar në pyje”, theksoi Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Kaja Shukova.

Projekti ka për qëllim parandalimin e humbjes së mëtejshme të pyjeve, duke nisur përpjekjet restauruese në peizazhet kyçe të biodiversitetit përtej Zonave të Mbrojtura. Duke zbatuar Zgjidhjet-bazuar në Natyrë (Nature-based Solutions, NbS), projekti do të fokusohet në restaurimin e peizazheve në zona të rëndësishme për ruajtjen e Rrëqebullit e Ballkanit, konkretisht në Bukoviq në Maqedoninë e Veriut dhe Pashtrik-Morinë në Shqipëri.

Sipas Boris Erg, Drejtori i Zyrës Rajonale Evropiane të IUCN-së projekti është një hap vendimtar drejt rinovimit të pyjeve që mundëson menaxhimin e qëndrueshëm të tyre dhe duke u përballur me ndryshimet klimatike.

“Ky projekt tregon një hap vendimtar drejt rinovimit të pyjeve, të cilët janë jetikë për shëndetin e ekosistemeve dhe mirëqenien e komuniteteve tona. Për më tepër, tregon përkushtimin për restaurimin dhe mbrojtjen e ruajtjen e ekosistemeve pyjore në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri. Zbatimi i Zgjidhjeve të bazuara në Natyrë (Nature-based Solutions, NbS) është një hap i rëndësishëm për restaurimin e pyjeve të degraduara, duke mundësuar menaxhimin e qëndrueshëm të tyre dhe duke rritur kështu elasticitetin përballë ndryshimeve klimatike. Aksioni i përbashkët i aktorëve kryesorë të restaurimit dhe përkushtimi i treguar sot këtu, jep shpresë për një të ardhme më të shndritshme, më të qëndrueshme” tha Boris Erg, Drejtori i Zyrës Rajonale Evropiane të IUCN-së.

Projekti dy-vjeçar do të fokusohet në restaurimin veçanërisht në zona pyjore të rëndësishme, në dy zona prioritare, të përzgjedhura në bazë të Metodologjisë së Vlerësimit të Mundësive të Restaurimit (Restoration Opportunities Assessment Methodology – ROAM) dhe forcimin e kapaciteteve të aktorëve lokal, kombëtar dhe rajonal, si dhe angazhimin në aspektin e menaxhimit dhe restaurimit të pyjeve nëpërmjet trajnimeve, seminareve dhe punës ndërgjegjësuese.

Rikujtojmë se, rrëqebulli ballkanik është një nga macet e mëdha më të rralla në planet, me popullatë prej më pak se 50 rrëqebuj të vetëm, prej të cilëve pjesa më e madhe, rreth 40 prej tyre jetojnë në Maqedoninë e Veriut, ndërsa të tjerët mund të hasen në Shqipëri dhe Kosovë. Bashkësia ndërkombëtare për mbrojtjen e natyrës (IUCN), e rangon rrëqebullin ballkanik si në rrezik kritik, ndërsa pjesa më e madhe e rreziqeve për mbijetesën e tij janë vepër e njeriut.

Prerja e pyjeve për ndërtim të rrugëve, ose objekteve të tjera i shkatërron dhe i copëton vendbanimet e rrëqebullit, e pamundëson të popullojë hapësira të reja dhe të komunikojë me rrëqebuj të tjerë nga rajone më të largëta që në vitet e fundit rezultoi edhe me një rrezik tjetër, e ky është shumimi me lloj të përafërt ose inbriding.