Luljeta Rama nga Kosova sonte do të ekspozojë për herë të parë në Galerinë e Arteve në Tetovë

Sonte në hapësirat e Galerisë së Arteve në Tetovë do të shfaqet ekspozita personale e artistes së njohur nga Prishtina Luljeta Rama Muçaj e cila vjen për herë të parë të ekspozojë në Maqedoni. Ekspozita do të hapet sonte, më datë 30 nëntor dhe do të rrijë e hapur deri më 5 dhjetor, njofton Portalb.mk.

Punim nga ekspozita
Punim nga ekspozita

Luljeta Rama është artiste e artit pamor si edhe mësimdhënëse e përkushtuar. Sonte publiku nga Maqedonia do ketë rastin ta takoj më nga afër artisten si edhe të shoh punën e saj , gjegjësisht ekspozitën personale të titulluar ‘’Dritëhija artistike’’. Hapja e ekspozitës bëhet në orën 19.00 në Galerinë e Arteve ku janë të ftuar të marrin pjesë të gjithë artdashësit. Kuratore e kësaj ekspozite është profesoresha dhe njohësja e artit  Nora Halimi e cila për artisten dhe punimet e saja shprehet:’

’Piktura e saj është kryesisht intuitive, e udhëhequr jo vetëm nga subjekti por edhe nga materialet dhe teknika e punës. Pikturat e saj janë basorelieve letre të pikturuara mbi sipërfaqe pëlhurash me sfonde me regjistër të heshtur dhe pothuajse monokromatik dhe me shirita ngjyrash të ndezura që përshkojnë aty këtu sfondin si për të evidentuar dhe ndriçuar atë që ndodh në thellësi, nën sipërfaqen e dukshme. Me këto shirita që krijojnë kontrast me gamën koloristike zakonisht të errët të sfondit, autorja përpiqet të vë theksin tek dritëhijet e jetës dhe njeriut, me dëshirën për të depërtuar thellë në ndjeshmëritë e tij, aty ku qëndrojnë heshtur ndjenjat, ëndrrat, kujtimet, ankthet, frika, etj. Përderisa në disa piktura preferon ti evidentojë këto shirite ngjyrash, në pikturat tjera sfondi mbetet kryefjala e kompozimit. Letra e aplikuar shndërrohet në trajta figurative, në teksturë dhe dendësi pigmenti që zgjon tek spektatori dëshirën për të futur në lojë edhe shqisa tjera, si ajo e prekjes. Karakteristika themelore e pikturave abstrakte të Luljetës është raporti që ajo ka vendosur mes ngjyrës dhe trajtave të letrës për të krijuar lëvizje, hapësirë dhe kompozicione simbolike, për të krijuar dhe zhvilluar struktura të reja ekzistence.

Në sipërfaqen e këtyre pikturave notojnë shqetësimet dhe persiatjet e kësaj artisteje që synon të ofrojë një intepretim subjektiv, autonom të botës, i cili edhepse i pjesshëm mund të ndihmojë dhe kontribuojë për ti dhënë kuptim ekzistencës njerëzore. Pikturat e Luljetës nuk janë eksplicite. Shprehja e lirë, qoftë shpirtërore a filozofike si dhe qasja e hapur e kësaj autoreje gjeneron më shumë rrugë interpretimi. Horizontet që ne mund ti shquajmë në këto piktura janë në fakt horizonte personale aty ku qenia e artistit takohet me pafundësinë dhe demonët e saj.’’

Ky projekt do të jetë dhe i pari i udhëhequr nga drejtoresha e re e kësaj galeria, artistja Arbenita Meta. Përndryshe, ekspozita do të jetë e hapur gjashtë ditë që prej hapjes dhe të gjithë ata që dëshirojnë ta ndjekin, janë të mirë se ardhur çdo ditë.

Punim nga ekspozita
Punim nga ekspozita

Sa i përket punës së artistes që do të prezantohet sonte, ekspozitat e saja janë shfaqur siç vijon:

Personale:

2023 – Galeria e Arteve, Shkodër, Shqipëri

2010 – Kalaja e qytetit, Ulqin, Mal i Zi

2010 -Ndërtesa e Komisionit Evropian, Prishtinë

2008 – Galeria “Ekspoart.40”, Prishtinë

Kolektive:

2023 – “Edicioni i 2 Kultura Shqiptare në Prizren, Java e Artit

2023- “Ekspo Vjeshta 2, Prishtinë

2023 – “Ekspo Verë”, Prishtinë

2023 – “Rezidenca Internacionale Prishtina Art 2023”

2023 – “Artistët për Artistë” Karavani Artistik nëpër Maqedoninë e Veriut

2023 – Manifestimi kulturor “Festimi i Pavarësisë së Kosovës 2023”

2023 – “Gratë për Gratë”, dedikuar ditës së gruas, organizim i Galerisë së Pejës

2023 – “Flaka e Janarit 2023”, Gjilan

2022 – “Shprehjet figurative – Si ushqim shpirtëror”, 60 artistë nga trevat shqiptare, organizimi Galerisë së Pejës

2022 – Manifestimi kulturor “Ulpiana Art Center 2022”

2019-  “Art Unity” mbajtur në Archiade Atelier at Dubai Design District, EBArabe

2015-  Inaugurimi i Rita Orës Ambasadore e Kosovës, Ambasada e Kosovës në Britaninë e madhe

2012-  “Festivali i poezisë”, Batllavë

2009 – “Salloni i Nëntorit”, Prishtinë

2008 – “Salloni i Nëntorit”, Prishtinë

2007 – “Salloni Pranveror”, Prishtinë

2007-  “Ekspo Pranvera 07”, Podujevë

2005- Hani i 2 Robertëve, Prishtinë

2004 – “Studentët për studentë”, Prishtinë

2000 – “View Point” New York, USA