Luani, dhelpra dhe kompleksi i viktimës

Sadhguru tregon një tregim të bukur që ka të bëjë me faktin që shumë njerëzve u pëlqen të tregohen si viktima pa qenë të tillë. E pra, ka qenë një njeri i cili ka vendosur të largohet nga të mirat e kësaj bote dhe të jetojë si asket, duke u marrë vetëm me spiritualizëm. I ka shitur dhe dhuruar gjërat që i ka pasur dhe ka filluar të jetojë si murg, pa posedime personale. Ka jetuar në pyll dhe gjatë gjithë ditës ka qëndruar nën hijen e një druri duke medituar për kuptimin e jetës. Pasi që për të ekzistuar njeriut megjithatë i duhet që të konsumojë ushqim, murgu kur ka qenë i uritur ka zbritur në qytet ku ka lypur për të ngrënë diçka dhe pastaj sërish është kthyer në vendin e tij të medititmit.

Një ditë murgu ka parë një skenë shumë të çuditshme në pyll. Ai ka dëgjuar rënkimin e një dhelpre të gjymtë e të uritur. Më pas, ka parë se si një luan ka sjellë një copë të madhe mishi dhe ia ka dhënë dhelprës së gjymtë që ta hajë. Dhelpra e ka ngrënë me shumë kënaqësi. Murgu është habitur nga ajo që ka parë dhe ka konsideruar që kjo është një shenjë që universi ia ka dërguar pikërisht atij, duke i thënë se nuk ka nevojë të zbresë në qytet dhe të largohet nga meditimi. Nëse një dhelpër e gjymtë ushqehet nga një luan bujar, atëherë edhe për murgun patjetër që do të gjendet dikush që ta ushqejë që të mos vdesë nga uria.

Kështu murgu nuk ka zbritur më në qytet dhe ka vazhduar të meditojë për ditë të tëra nën hijen e pemës, pa ngrënë e pa pirë. Dikur ka filluar ta lërë fuqia, dhe e ka parë që askush nuk vjen ta ushqejë. Tani më nuk ka pasur fuqi as të zbresë deri në qytet. Në atë kohë, aty pranë ka kaluar një dijetar i madh, një njeri i urtë, që kur e ka parë murgun të katandisur në atë gjendje është ndalur të shohë se si është puna. Murgu i ka treguar për ndodhitë dhe e ka pyetur se a konsideron edhe dijetari që skena e pazakontë me luanin bujar dhe dhelprën e gjymtë ka qenë një shenjë nga universi për murgun? Dijetari ka pohuar duke thënë se pikërisht për të ka qenë kjo shenjë, por murgu e ka keqkuptuar. Dijetari e ka pyetur murgun: “Ti pse vendose të bëhesh dhelpra e gjymtë në vend se të jesh luani bujar?”

Sa e çuditshme që njerëzit shpesh herë e vendosin veten pikërisht në rolin e dhelprës së gjymtë, dhe insistojnë të jenë viktima kur në fakt nuk janë. Sa lehtë njeriu paraqitet si i viktimizuar ndërsa e anashkalon rolin proaktiv që mund ta luajë në shoqëri. Sa lehtë ia hedhim fajin fatit, padrejtësisë dhe mospëlqimit, sa rrallë marim përgjegjësi për atë që e bëjmë, që e kemi bërë e që mund ta bëjmë.

Njeriu në të shumtën e rasteve është në gjendje të jetë luani bujar, por me vetëdëshirë paraqitet si dhelpra e gjymtë, thjeshtë sepse nuk dëshiron të dalë nga zona e komoditetit, të marrë përgjegjësi për veprimet e veta dhe të bëjë më shumë për të tjerët që mund të kenë më pak fat se ai.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.