LSDM: Vizita e Presidentes Siljanovska Davkova në Bullgari ishte poshtëruese

LSDM vizitën e presidentes Gordana Siljanovska Davkova në Bullgari e vlerëson si poshtëruese për shkak se në takimet me krerët bullgarë nuk është vendosur flamuri i Maqedonisë. Nga partia thonë se Siljanovska Davkova është pajtuar për takim pa u vënë në pah flamuri i Maqedonisë, janë dërguar njoftime në opinion pa e përdorur emrin kushtetues të shtetit dhe nuk ka pasur deklarata të përbashkëta për media, që sipas tyre është turp i madh për shtetin, kurse politika e jashtme që përfaqëson VMRO-DPMNE-ja dhe Siljanovska është improvizim dhe naivitet, transmeton Portalb.mk.

“Delegacioni i Maqedonisë i kryesuar nga Gordana Siljanovska Davkova dje në Sofje përjetoi një debakël diplomatik, ndërsa vendi ynë një poshtërim dhe turp të paparë në skenën politike ndërkombëtare. Gordana krenare dhe ministrat shoqërues u mirëpritën në Sofje si përfaqësues të disa klubeve lokale apo institucioneve komunale bullgare dhe jo si përfaqësues të lartë ndërkombëtarë të një vendi anëtar të NATO-s dhe një partner i rëndësishëm i Bullgarisë. E pyesim Gordanën dhe shefin e saj Mickoskin se cilin shtet përfaqësonin në Bullgari dhe me cilat simbole? Ku humbi emri shtetëror dhe në të Maqedonia – për njohjen ndërkombëtare të kujt luftuan brezat? A do të thotë fotografimi pranë flamurit bullgar se përfaqëson Bullgarinë?”, pyesin nga LSDM.

Ndryshe, dje në Bullgari u zhvillua takim ndërmjet presidentes së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska – Davkova, dhe presidentit të Bullgarisë, Rumen Radev, duke u theksuar nevoja për dialog ndërmjet dy vendeve anëtare të NATO-s.

“Në takim me presidentin bullgar u diskutua për nevojën e zhvillimit të raporteve maqedonase-bullgare, për tejkalimin e çështjeve të hapura ndërmjet dy vendeve në kuadër të procesit integrues në Bashkimin Evropian dhe shfrytëzimin e përvojës bullgare në këtë rrugë dhe për mundësitë e nxitjes dhe përparimit të bashkëpunimit bilateral në shumë fusha”, raportoi presidenca e RMV-së.

Pas takimit tet-a-tet ndërmjet dy presidentëve, u zhvillua takim ndërmjet delegacionit të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, ku morën pjesë dy ministrat e RMV-së, Timço Mucunski dhe Zoran Lutkov.

Kujtojmë se, në raport me Bullgarinë, Maqedonia e Veriut duhet t’i bëj ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese. Ato nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë. Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.