LSDM akuzoi Qeverinë se e shfrytëzoi situatën në Gostivar dhe bleu ujë të pijshëm pa tender në vlerë prej 100 mijë euro, reagoi Qeveria dhe kompania
Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) njoftoi se Qeveria, përmes Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta, ka lidhur kontratë për furnizim me ujë të pijshëm në vlerë prej 100 mijë eurosh pa shpallje publike. Qeveria dhe kompania e demantuan LSDM-në, transmeton Portalb.mk.
Sipas partisë opozitare, kontrata, për shkak të krizës me ujin e pijshëm në Gostivar, është lidhur me negocim të drejtpërdrejtë me kompaninë “Kozhuvçanka”, e cila është në pronësi të kryetarit të Komunës së Kavadarit, Mitko Jançev.
Nga LSDM dyshojnë se pushteti synon ta zbatojë të njëjtin parim edhe me ligjin për Shkupin 2028, me të cilin, sipas tyre, dëshiron të parashikojë furnizime pa tender, duke favorizuar kompani të afërta me pushtetin.
“Qytetarët po helmohen dhe përfundojnë në spitale, institucionet heshtin dhe vonohen në reagim. Asgjë nuk funksionon, përveç marrëveshjeve të biznesit të ‘patriotëve të tenderëve’”, akuzojnë nga LSDM.
Ndaj reagimit të LSDM-së reaguan menjëherë nga Qeveria, duke thënë se pretendimet e partisë opozitare janë të pavërteta duke thënë se tentojnë të manipulojnë opinionin publik me dezinformata të pasakta dhe tërësisht të sajuara.
“Sa i përket furnizimit me ujë të ambalazhuar, është e vërtetë se procedurën me negocim e zhvilloi Shërbimi për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta, i cili siguron ujë falas për qytetarët, ndërsa kontratën përmes tenderit e fitoi kompania “Kozhuvçanka”. Por, po ashtu është fakt se një shishe uji prej 1.5 litrash, e cila në shitje me pakicë kushton të paktën 25 denarë, Qeveria e furnizon me çmim prej 12.5 denarësh”, thanë nga Qeveria.
Edhe nga Kompania Kozhuvçanka e demantuan LSDM-në.
“Theksojmë se kemi marrë pjesë në thirrjen publike të shërbimeve të Qeverisë për furnizimin me ujë të ambalazhuar për nevojat e Komunës së Gostivarit, ku kompania jonë Kozhuvçanka nga Kavadari ka paraqitur ofertë prej 12,5 denarësh për shishe, çmim dukshëm më i ulët se çmimi i rregullt i shitjes së produktit, i cili është 25 denarë. Dallimin mes çmimit të rregullt të shitjes dhe çmimit të ofruar për këtë furnizim kompania e merr tërësisht përsipër, si gjest i përgjegjësisë shoqërore, solidaritetit dhe filantropisë”, thanë nga kjo kompani.
Kozhuvçanka theksuan se sasia e ujit në fjalë do të transportohet falas deri te Komuna e Gostivarit, me qëllimin e vetëm që t’u ndihmohet qytetarëve në kohë.
Ministria e Shëndetësisë dje informoi se situata epidemiologjike në Gostivar po monitorohet vazhdimisht nga institucionet kompetente shëndetësore. Gjatë 3 gushtit janë regjistruar gjithsej 78 kontrolle, që është për gjashtë më pak krahasuar me një ditë më parë, kur ishin evidentuar 84 kontrolle.
Ndryshe, më 17 korrik, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e ndaloi përdorimin e ujit për pije në Gostivar, pasi u zbulua një pompë që fuste drejtpërdrejt ujëra të ndotura në sistemin e ujësjellësit. Inspektorët e Agjencisë dolën në terren së bashku me policinë pas shtimit të raportimeve të qytetarëve për probleme me stomakun.
Disa ditë më vonë, drejtoresha e NP “Komunalec” në Gostivar dhe edhe dy të punësuar u arrestuan, ndërsa ndaj tyre u hap hetim për ndotjen e ujit në Gostivar. Ata dyshohen se, me lëndë të dëmshme, e kanë bërë të papërdorshëm ujin për pije në dhomën e tejmbushjes së sistemit që furnizon me ujë Komunën e Gostivarit dhe disa fshatra përreth. Sipas hetimit, më 25 qershor të dyshuarit kishin urdhëruar punonjësit të vendosnin tre pompa zhytëse në një kanal me ujë sipërfaqësor të ndotur pranë dhomës së tejmbushjes së ujit të pijshëm për të testuar presionin e ujit.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë mori mostra të ujit, por edhe pse rezultatet e analizave ishin gati, Qeveria dhe Prokuroria nuk i publikuan menjëherë. Pas insistimit të gazetarëve, më 20 korrik Prokuroria Publike publikoi rezultatet, sipas të cilave uji në Gostivar ishte jashtëzakonisht i ndotur dhe nuk duhej të përdorej për asnjë qëllim.
Në ujë u zbuluan 2.419,6 cfu/100 ml baktere koliforme, ndërsa kufiri maksimal i lejuar është 50 cfu/100 ml. Në mostrat e marra nga burimi i ujit u konstatua gjithashtu numër i rritur i kolonive bakteriale aerobe mezofile dhe prani e baktereve koliforme, ku sipas standardeve duhet të ketë 0 cfu/100 ml, ndërsa në ujë u gjetën 39 cfu/100 ml. Bëhet fjalë për një ndotje jashtëzakonisht të lartë fekale të ujit të pijshëm.