Një tjetër njoftim për përditësimin e listës pozitive të ilaçeve është bërë sot nga ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, por mbetet e paqartë se kur do të ndodhë saktësisht. Pavarësisht kësaj, ai në një konferencë për media tha se sot ishte një ditë e madhe për njerëzit në shëndetësi, për të gjithë pacientët dhe qytetarët, pasi definitivisht problemit me listën do t’i jepet fund dhe se do të përditësohet, në mënyrë që pacientët mund të marrin terapi efektive, transmeton Portalb.mk.
“Për vendosjen e barnave në listën pozitive është miratuar një rregullore e re, e cila bazohet në praktikat evropiane në këtë fushë, duke përfshirë marrëveshje të veçanta që do të mundësojnë disponueshmërinë e barnave inovative për pacientët tanë. Është formuar një komision, i cili do të punojë për ndryshimin dhe plotësimin e listës pozitive të barnave dhe pas një periudhe të gjatë do të vendosim një sistem funksional për plotësimin e nevojave të pacientëve me terapi të përshtatshme. Komisioni përbëhet nga ekspertë të Ministrisë së Shëndetësisë, FSSh-së, Agjencisë së Barnave, Institutit të farmakologjisë paraklinike, si dhe mjekë dhe specialistë të klinikave universitare”, tha Mexhiti.
Ai tha se beson se tashmë kompanitë farmaceutike po bëjnë dokumentacionin e nevojshëm, në mënyrë që t’i përgjigjen kërkesave të rregullores.
Kryetarja e komisionit të ekspertëve, Lubica Shuturkova, tha se pas 13 vitesh sërish ka mundësi për rishikim të listës.
“Me këtë do të kemi disponueshmëri më të madhe të resurseve të kufizuara maqedonase për shëndetësi, por ilaçe inovative. Rregullorja është e harmonizuar me rregulloret evropiane. Një nga risitë është se kjo rregullore ka teknologji shëndetësore që hulumton një shërbim shëndetësor të caktuar, ndërkohë që merren parasysh edhe aspektet humaniste. Rëndësia e ilaçit mund të shihet nga aspekti i shëndetit publik, vlera relative e ilaçit, aspektet farmakoekonomike, aspektet etike për përdorimin e ilaçit”, tha ajo.
Në pyetjet e gazetarëve se kur do të përditësohet lista e barnave, Mexhiti tha se FSSh, në bazë të materialeve të dorëzuara nga ministria, do të mbledhë një bord dhe do të shtojë apo heqë barnat, me propozimin e komisionit të ekspertëve.
“Nuk mund të themi kohën e saktë. Me aplikimin e kompanive farmaceutike do të shqyrtohen aplikacionet e tyre, do të përditësohet lista dhe do të përpilohet lista pozitive e barnave”, tha Mexhiti.
Në një pyetje lidhur me ilaçin “Trikafta” për të sëmurët me fibrozë cistike, ai tha se 80 për qind e pacientëve nuk kanë bërë rentgen (tomografi kompjuterike) në Klinikën e Pulmologjisë, ndaj ato incizime janë bërë këto ditë.
“Arsyeja pse këta pacientë tani po incizohen është se është një kriter ekskluziv për marrjen e ilaçit Trikafta”. Do të jetë qendra më moderne në rajon për fibrozën cistike, në spitalin e Kozlës, ku të rriturit dhe fëmijët do të ndahen në reparte të ndryshme”, premtoi Mexhiti.
Kujtojmë se edhe në qershor, Qeveria e Maqedonisë premtoi zhbllokim të procesit të vendosjes së barnave të reja në listën pozitive, të cilat bien në ngarkesë të Fondit për Sigurim Shëndetësor (FSSH), kështu që, siç u tha atëherë, do të sigurojmë mekanizma për qasje në kohë të duhur dhe mënyrë përkatëse deri te, barnat e cilësisë së lartë dhe ndihmesave mjekësore.
Ndryshimet e fundit në këtë Rregullore mundësojnë nënshkrimin e marrëveshjeve speciale me të cilat do të mundësohet hyrja e më shumë barnave invovantive për të gjithë pacientët, të cilat i kanë të domosdoshme, dhe njëkohësisht mund të parashikohet dhe mbrohet buxheti shëndetësor.