Ligj tjetër në Kuvendin e RMV-së që sjell tensione: “Tentohet fshirja e diasporës shqiptare dhe zvogëlimi i këshilltarëve komunal”

Para deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut është propozuar edhe një ligj që do të nxisë tensione politike. Debatin në parlament e ka ashpërsuar propozim- ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për vetëqeverisje lokale. Deputetët e opozitës shqiptare alarmuan se ligji mëton fshirjen e diasporës dhe zvogëlimin e numrit të këshilltarëve në komunat shqiptare. Nga ana tjetër deputetët shqiptar të pushtetit konsiderojnë se ligji është në mënyrë të tillë për fajin e Qeverisë së kaluar, e cila me Regjistrimin e popullsisë i ndau qytetarët në rezident dhe jorezidentë. Që propozim-ligji të kalojë në kuvend janë të nevojshme 80 vota (2/3) dhe votimi me “Badenter”, që nënkupton se duhen minimum 20 vota të deputetëve jo maqedonas, shkruan Portalb.mk.

Sipas deputetes së Frontit Evropian, Ilire Dauti, kuadër i Aleancës për shqiptarët, tendenca përmes propozim- ligjit nuk është vetëm padrejtësi statistikore, por një goditje e rëndë ndaj përfaqësimit politik të shqiptarëve dhe të gjithë qytetarëve që jetojnë jashtë përkohësisht, por që mbajnë lidhje të forta me vendlindjen.

“Ligji që kemi para vetes, është anti-ligjorë, është anti-kushtetues dhe kur e kemi parasysh të drejtën statistikore dhe të drejtën kushtetuese unë besoj se të gjithë pajtohemi se e drejta kushtetuese vjen mbi dhe para të drejtave të tjera. Prandaj, një propozim i tillë, i cili është anti- kushtetues padyshim se nuk duhet të gjejë vend të as të diskutohet e jo më të mendohet për tu miratuar. Pra, si i tillë mundem lirisht të konstatoj se si ligj sjell vetëm tension ligjor dhe politik, e ne jemi këtu për ta parandaluar këtë”, tha mes tjerash deputetja Dauti.

Në këtë linj është edhe deputeti i BDI-së, pjesë e Frontit Evropian, Talat Xhaferi. Ai ka shprehur qëndrimin se nuk do ta mbështesë këtë ligj.

“Ne nuk e kemi mbështetur në fazën e parë, e as nuk do ta mbështesim as në këtë fazë. Siç dihet për këtë ligj duhen 80 vota (2/3) dje duhet votimi i dytë me Badinter (minimum 20 vota të deputetëve jo maqedonas), që besoj se shumica nuk i ka. Propozim ligji në tërësi është në kundërshtim me përcaktimet kundërshtuese dhe ka kundërthënie. Me këto ndryshimet e ligjit në mënyrë të paligjshme dhe në procedurë të jashtëligjshme propozuesit dëshirojnë që ta autorizojnë dhe legalizojnë vendimin anti-ligjor dhe anti- kushtetues. Kush ka guximin prej deputetëve shqiptarë ta mbështesë këtë ligj le të urdhërojë para qytetarëve. Le të vije në fazën e votimit, nëse i ka 2/3 dhe mbi 20 vota të deputetëve jo maqedonas. Urdhnoni votoeni”, tha nga foltorja e kuvendit Xhaferi.

Deputetëve të FE-së, u ka replikuar deputeti i shumicës parlamentare nga koalicioni shqiptar në kuvend- VLEN, Adnan Azizi.

“Shqiptarët i përzutë nga vendlindja. I përjashtuat nga lista e regjistrimit duke i shpallë si popullsi jo rezidente. Kudo në botë ato regjistrohen si qytetarë, me të drejta për t’i shfrytëzuar benefitet e shtetit. Më e keqja nuk është ajo që përkthehet te numri i këshilltarëve, ato humbin të drejtat e benefiteve dhe ja tash të gjithë investimet që i bën qeveria i ndan në kokë banori. Ju e bëtë. Doli kryetari juaj tha se regjistrimi është fenomenal me ekspertë ndërkombëtar dhe i mashtroi shqiptarët. Është mashtrimi juaj. Këtë e bëtë ju”, theksoi deputeti Azizi.

Ndërkohë sipas deputetit të ASH-së Halil Snopçe, ky ligj dëmton komunat shqiptare duke shkurtuar ndihmat financiare për kokë banori pasi e përjashton diasporën nga numri i përgjithshëm i popullsisë.

Ai thotë se ky ligj me të cilin lavdërohej Arben Fetai dhe me të cilin dëshirohet të eliminohen qytetarët jorezident nuk do kalojë.

“Ligji për Vetëqeverisje Lokale për të cilin lavdërohej Arben Fetai dhe me të cilin dëshirohet të eliminohen qytetarët jorezident nuk do kalojë. Qëllimi është dëmtimi i komunave shqiptare për të shkurtuar ndihmat financiare për kokë banori. Kur isha koordinator i VLEN-it kishim mendim të palëkundur se jemi kundër dhe për atë arsye para katër muajve kemi kërkuar interpretim autentik për të cilën ende s’kemi përgjigje”, thotë deputeti i ASH-së, Halil Snopçe.

Ndryshe, propozim- ligjin në fjalë e ka komentuar edhe zëvendëskryeministri Izet Mexhiti.

“Dallimi këtu është sesi do të përcaktohet numri i këshilltarëve në komuna, më herët nuk ka pasur dilema, sepse regjistrimi ka qenë i qartë. Ka pasur numër të qytetarëve. BDI-ja regjistrimin e fundit e ka bërë me qytetarë rezidentë dhe jorezidentë. Pra nuk është VLEN-i, nuk ka qenë VLEN-i atëherë. Pra është pikërisht BDI-ja, përmes Entit të Statistikës, ku e ka pasur zv/drejtorin Ilmiun, ka pasur ministra në qeveri, lejoi që qytetarët të ndahen në rezidentë dhe jorezidentë. Atë që e ka bërë BDI-ja tash është normë ligjore. Është normë që duhet të respektohet dhe sipas regjistrimit të BDI-së, i përcaktojnë numrin e qytetarëve rezidentë, dhe në Gostivar numri i qytetarëve rezidentë është më i vogël dhe ulet numri i këshilltarëve. Numri i qytetarëve rezidentë në Studeniçan është rritur dhe prandaj është rritur numri i këshilltarëve. Në disa komuna është rritur, në disa është zvogëluar, varësisht nga nataliteti dhe migrimi. Por nuk mundet t’i trajtojnë qytetarët që aq lehtë harrojnë. Pra dilema është krijuar nga regjistrimi që e ka bërë BDI”, tha mes tjerash Mexhiti.

Kryeministri Hristijan Mickoski, ndërkohë tha se qëllimi i ligjit është krejtësisht tjetër.

“Qëllimi është që të mund të bëhen ndryshime që do të jenë në përputhje me proceset zgjedhore kur zgjidhen kryetarët e komunave, këshilltarët, etj. Nuk është qëllimi nëse kemi rezidentë apo jo-rezidentë. Por  meqenëse tashmë po e parashtroni këtë  pyetje, unë do t’ju ftoja të gjithëve që së bashku ta ndryshojmë Kodin Zgjedhor dhe ta bëjmë një njësi të vetme zgjedhore.  Dhe në atë njësi të vetme zgjedhore t’i lejojmë edhe diasporës të votojë, të lejojmë të formohen vendvotime në ato shtete ku në përputhje me Kushtetutën, lejohet të krijohen vendvotime jashtë përfaqësive diplomatiko-konsullore” – tha ai dhe shtoi:

“Ja, unë jam i gatshëm menjëherë, i shoh deputetët nga koalicioni i VMRO-DPMNE-së që ta mbështesim atë ligj ku do të kemi një njësi të vetme zgjedhore. Dhe le të mos filozofojmë pse ka kaq shumë këshilltarë, le ta hapim këtë çështje dhe ta mbyllim. Të kemi një njësi të vetme zgjedhore, dhe në atë njësi të vetme zgjedhore të votohet duke përfshirë edhe votat e diasporës – dhe jo vetëm në përfaqësitë diplomatiko-konsullore (PDK), por kudo ku ligji i atij shteti lejon që të votohet jashtë PDK-ve. Jam menjëherë i gatshëm ta mbështes atë ligj dhe ju jap fjalën time se edhe grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së do ta mbështesë”.

Kujtojmë se, ky propozim- ligj nuk është i pari që nxiti tensione në Kuvend dhe prek ndjenjat e shqiptarëve. Në fund të vitit të kaluar, debat të ashpër kishte inicuar edhe ligji për arsim të mesëm, me të cilin tentohej që të intonohet himni shtetëror në fillim dhe në fund të vitit shkollor dhe në patronazhet e shkollave, por që i njëjti u tërhoq nga Qeveria pas tensioneve në Kuvend dhe presionit të opinionit publik.